Telegrafi

Vazhdon forma e shkëlqyer e Mirlind Dakut – shënon gol edhe ndaj Spartak Moskës

Spartak Moska dhe Rubin Kazani u përballën me njëra-tjetrën në kuadër të javës së 29-të në elitën e futbollit rus.

Ndeshja përfundoi me rezultat 3-1 në të mirë të Spartak Moskës, ndërsa te Rubin Kazani golin e vetëm e shënoi sulmuesi shqiptar Mirlind Daku.

Daku realizoi për 3-1 në minutën e 77-të pas asistimit të futbollistit tjetër shqiptar Dardan Shabanhaxhaj.

Ky ishte goli i nëntë për Dakun në 27 ndeshje të luajtura deri më tani në Superligën e Rusisë ndërsa ka kontribuar edhe me katër asistime.

Kjo formë e mirë e 28-vjeçarit është një sinjal pozitiv për Shqipërinë teksa po i afrohemi fillimit të Kampionatit Evropian që do të mbahet në Gjermani.

Shqipëria gjendet në grupin B së bashku me Kroacinë, Italinë dhe Spanjën dhe në rast se i bëhet ftesa, Daku do të ishte një ‘armë sekrete’ për t’u përdorur nga përzgjedhësi Sylvinho.

Daku do të rikthehet përsëri në aksion vikendin e ardhshëm me Rubin Kazanin që do të jetë nikoqir i Socchit, ekip ky të cilit Daku i kishte shënuar në ndeshjen e parë./Telegrafi/