Telegrafi

Diskriminimi vazhdon, 70 vite hoxhë në Medvegjë – Serbia ia pasivizoi adresën Ajet Latifit

Po vazhdon pasivizimi i adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Së fundmi Këshilli Kombëtar Shqiptar Zyra në Medvegjë ka prezantuar një rast të paprecedentë të diskriminimit të shqiptarëve në Serbi.

Imami i xhamisë së Kapitit – Hoxhë Ajet Latifi i cili që 70 vite është në shërbim të komunitetit të besimtarëve të Bashkësisë Islame në Medvegjë.

Pavarësisht këtij fakti, për organet shtetërore të Serbisë tash e disa vite Hoxha e ka edhe një titull tjetër “Hoxhë i pasivizuar”.

“70 vite në shërbim të komunitetit të besimtarëve të Bashkësisë Islame në Medvegjë. Por kjo nuk mjafton për organet shtetërore të Serbisë, ngase tash e disa vite Hoxha e ka edhe një titull tjetër – Hoxhë i Pasivizuar”, ka njoftuar Këshilli Kombëtar Shqiptar – Zyra në Medvegjë.

Në një raport të publikuar nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR), është bërë e ditur se 3.370 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi.

Në raportin “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese”, që u prezantua javë më parë në Beograd, YIHR ka thënë se pasivizimi është përdorur si instrument politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë.

Marko Millosavjelviq që prezantoi raportin, tha se humbja e adresave për shqiptarët në Luginë të Preshevës nënkupton pamundësi për t’u punësuar, martuar, blerë pronë, regjistrojnë veturë dhe të marrin pjesë në zgjedhje.

Lexo po ashtu Serbia pasivizon adresat e shqiptarëve, Lutfiu dhe Kamberi bisedojnë me Lajçakun për sfidat e Luginës

Por shifrat mendohet se janë shumë më të larta.

Rreth 8 mijë banorëve shqiptarë në Luginën e Preshevës u janë pasivizuar adresat, një masë e shtetit serb që po u pamundëson shqiptarëve pajisjen me dokumente pas skadimit të tyre.

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi, këto veprime të institucioneve serbe karshi shqiptarëve në Luginë i ka quajtur tendencë të shtetit serb për zvogëlimin e popullsisë shqiptare, teksa thotë se ekziston frika nga forcimi politik etnik shqiptar në këto treva.

Kryetari i Bujanocit, Nagip Afiri tha se nuk kanë statistika zyrtare për pasivizimin e adresave, por nga të dhënat e mbledhura jo zyrtarisht vetëm në Komunën e Bujanocit, janë pasivizuar afro 2 mijë adresa të banorëve shqiptarë./Telegrafi/