Koreja e Jugut ka votuar për shkarkimin e presidentit të saj në detyrë Han Duck-soo, dy javë pasi parlamenti votoi për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol.
Gjithsej 192 ligjvënës votuan për shkarkimin e tij, më shumë se 151 votat e nevojshme që ai të miratohet.
Bëhet e ditur se kryeministri Han mori rolin pasi presidenti Yoon u fajësua nga parlamenti pas përpjekjes së tij të dështuar për të vendosur ligjin ushtarak më 3 dhjetor.
Han duhej ta nxirrte vendin nga trazirat politike, por deputetët e opozitës argumentuan se ai po refuzonte kërkesat për të përfunduar procesin e shkarkimit të Yoon.
Skena dramatike në parlament
Parlamenti ishte në kaos ndërsa votimi u mbajt të premten.
Ligjvënësit nga Partia e Pushtetit Popullor (PPP) e Yoon dhe Han protestuan pasi kryetari i Asamblesë Kombëtare Woo Won-shik njoftoi se do të nevojiteshin vetëm 151 vota për të miratuar projektligjin e shkarkimit.
Kjo do të thoshte se, ndryshe nga 200 votat e nevojshme për shkarkimin e Yoon, asnjë votë nga ligjvënësit në pushtet nuk do të nevojiteshin këtë herë që Han të fajësohej në parlament.
Deputetët e partisë në pushtet u mblodhën në mes të dhomës së votimit duke brohoritur, “i pavlefshëm” dhe “shpërdorim i pushtetit” dhe duke i bërë thirrje kryeparlamentarit të largohej.
Siç raportohet, Han do të pezullohet nga detyra sapo të njoftohet zyrtarisht nga parlamenti, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ndërsa ministri i Financave Choi Sang-mok do të zëvendësojë atë si president në detyrë.
Ashtu si Yoon, shkarkimi i Han do të duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka 180 ditë për të vendosur nëse shkarkimi duhet të mbështetet.
“Unë respektoj vendimin e Asamblesë Kombëtare”, tha Han, duke shtuar se ai “do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Ai tha gjithashtu se do të pezullojë detyrat e tij për të “mos shtuar kaosin”.
Ndryshe, opozita fillimisht paraqiti një mocion fajësimi kundër Han pasi ai bllokoi emërimin e tre gjyqtarëve që parlamenti kishte zgjedhur për të mbikëqyrur çështjen e Yoon.
Gjykata Kushtetuese e Koresë zakonisht përbëhet nga nëntë anëtarë.
Të paktën gjashtë prej tyre duhet të mbështesin fajësimin e Yoon në mënyrë që vendimi të mbahet në fuqi.
Aktualisht janë vetëm gjashtë gjyqtarë, që do të thotë se një refuzim i vetëm do ta shpëtonte Yoon nga largimi. /Telegrafi/