Site icon Telegrafi

Vazhdojnë raportimet për probleme infrastrukturore nga banorët e Gjakovës

Platforma Ndreqe.com vazhdon të jetë adresa ku shumë qytetarë i raportojnë problemet të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturë apo mbeturina në zonat në të cilat ata jetojnë.

Një nga problemet që vazhdon të raportohet është dëmtimi i trotuareve që ku këtë herë një problem i tillë është raportuar në rrugën “Ganimete Tërbeshi”, që ndryshe njihet si “Rruga e ngushtë” e cila është një rrugë një kahëshe, duke e vështirësuar kështu edhe më shumë lëvizjen e këmbësorëve në këtë pjesë.

Një raportim tjetër ka të bëjë me dëmtimet e që janë bërë në rrugën “Xheladin Hana” , rrugë kjo e cila përveç dëmtimeve dhe gropave të shumta, që vështirësojnë lëvizjen e makinave në këtë rrugë, këtu mungon edhe pjesa e trotuarit, duke e bërë këtë rrugë vështirë të qarkullueshme edhe për këmbësorë.

Sa i përket sanimit të këtyre rrugëve, në një përgjigjje dhënë Telegrafit, Komuna e Gjakovës, përkatësisht Zyra për Informim në këtë komunë kishte bërë të ditur që kontrata ekzistuese për sanimin e rrugëve është mbyllur në tërësi dhe pasi të zhvillohen procedurat e prokurimit për kontratë të re dhe të ketë një operator ekonomik të kontraktuar do të intervenohet në sanimin e tyre.

Ndërsa sa u përket trotuareve në përgjigjjen e tyre ishte thënë që intervenimi në rregullimin e trotuareve do të bëhet  varësisht nga buxheti që kjo komunë do të ketë në dispozicion. /Telegrafi/

Exit mobile version