Qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit, Ganja, është granatuar nga forcat armene, ndërsa vazhdojnë përplasjet e ashpra për rajonin e diskutueshëm Nagorni-Karabaku.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, rajoni është brenda territorit të Azerbajxhanit mirëpo drejtohet dhe është e banuar me shumicë armene.
Autoritetet e zonës Nagorni-Karabaku, thonë se ata goditën aeroportin ushtarak të Ganjas, pasi forcat e Azerbajxhanit granatuan kryeqytetin e rajonit, Stepanakert.
Ndërkohë, Azerbajxhani në anën tjetër proklamon që asnjë vend ushtarak i Ganjas nuk është goditur.
Deri më tani thuhet se kanë ndërruar jetë më shumë se 220 persona që nga fillimi i përplasjeve një javë më parë.
Të dyja palët e kishin nisur këtë përplasje gjatë vitit 1988-94, që më pas u dakorduan për një armëpushim. Sidoqoftë, ato nuk e kanë arritur kurrë asnjë zgjidhje mbi këtë mosmarrëveshjeje.
Luftimet e tanishme reflektojnë si më të këqijat ndonjëherë që nga armëpushimi, sakaq dy ish-republikat sovjetike po e fajësojnë njëra-tjetrën mbi këto luftime.
Informacionet e fundit që dihen për konfliktin
Ministria e mbrojtjes në Azerbajxhan tha të dielën se forcat armene po e bombardojnë qytetin e Ganjas, qyteti perëndimor që shtrihet në veri të Nagorni-Karabaku.
Zakary Hasanov, njëherësh ministër i mbrojtjes tha se ky ishte qartë një veprim provokues, që po zgjeronte konfliktin.
“Informacioni i përhapur nga pala armene në lidhje me bombardimet e pretenduara të objekteve ushtarake në qytetin Ganjas, është provokues dhe i rremë”, tha pala azere në një deklaratë.
“Si rezultat, dëmet prekën civilët, infrastrukturën civile si dhe ndërtesat e lashta historike”, thuhej në njoftim.
Në anën tjetër autoritetet e Nagorni-Karabakut, thonë se ata shkatërruan aeroportin ushtarak të Ganjas, i cili sipas tyre ishte përdorur për të sulmuar civilët armenë.
Zyrtarët në këtë rajon kanë konfirmuar se 201 persona kanë ndërruar jetë nga ‘personeli i shërbimit’, përfshirë dhe një numër civilësh që kur luftimet shpërthyen më 27 shtator.
Azerbajxhani thotë se 22 civilë janë vrarë, pa dhënë informacion në lidhje me viktimat e tij ushtarake. /Telegrafi/