Site icon Telegrafi

Vazhdojnë mospjatimet pozitë-opozitë në Kuvendin Komunal të Gjilanit

Në mbledhjen e sotme të KPF-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, vazhduan mospajtimet mes pozitës dhe opozitës , me këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që kërkuan futjen në rend dite të disa propozimeve të rëndësishme si miratimi i buxhetit për vitin 2025, themelimi i inkubatorit të biznesit, bartja e mjeteve në vlerë prej 2.5 milionë euro dhe raporti i kryetarit për periudhën janar-qershor 2024.

Megjithatë, këto propozime u refuzuan nga opozita, e cila ka shumicën në këtë trupë komunale dhe në Kuvend.

Pas dështimit të përfshirjes së këtyre propozimeve në rend dite, përfaqësuesit e LVV-së e braktisën mbledhjen në shenjë pakënaqësie dhe proteste.

Ata gjithashtu patën vërejtje lidhur me thirrjen e mbledhjes brenda një dite, duke theksuar se nuk iu dha kohë e mjaftueshme për të shfletuar materialet e propozuara.

Si kusht për vazhdimin e bashkëpunimit, LVV kërkoi një dakordim paraprak me opozitën për normalizimin e punës në Kuvend, i cili ka hyrë në krizë që nga qershori.

Kryesuesi i KPF-së, Kushtrim Kadriu, tha se mbledhja ishte thirrur në afat të shkurtër për shkak të vonesave në mbajtjen e seancave të Kuvendit për këtë vit dhe nevojës për miratim të çështjeve me rëndësi që kërkojnë të respektohen afatet.

Përkundër tensioneve, KPF miratoi disa propozime, përfshirë atë të Nazim Gagicës për mbështetjen e grave të prekura nga kanceri dhe propozimin e Ismajl Kurteshit për ndarjen e bursave për nxënës.

KPF gjithashtu rekomandoi për Kuvend një sërë çështjesh, ndër të cilat Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës për vitin 2023, Vlerësimi i rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, Raporti i punës së ndërmarrjeve publike lokale, dhe ndryshimet në vendimet për emërtimin e rrugëve dhe numërimin e adresave. /Telegrafi/

Exit mobile version