Telegrafi

I vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj “Lizës”, i dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj , Ilir Abdullahut i njohur si Liza. Ai dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e policit Triumf Riza.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit I.A, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 31.05.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit I.A iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, tha ajo,

Ndryshe, më 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte zëvendësuar Abdullahut masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro. Gjykata e Apelit më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”.

Abdullahu deri në momentin e arrestimit të tij më 16 korrik 2023 ishte në arrati mbi 10 vite dhe ishte në kërkim edhe të INTERPOL-it.

Ndërkohë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vijon procesi gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Rizës./Telegrafi/