Telegrafi

Vashat dardane U17 promovohen në Ligën A të kualifikimeve për Evropianin 2022

Kosova U17 në konkurrencën e femrave e ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit tonë.

Qysh në pjesëmarrjen e parë në garat kualifikuese të Kampionatit Evropian vashat dardane nën 17-vjeç kanë arritur ta fitojnë grupin dhe të promovohen në Ligën A të kualifikimeve për Euro 2022.

Në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese në kuadër të Grupit 1 të Ligës B, Kosova ka shënuar fitore ndaj nikoqirit të ndeshjeve të këtij grupi, Luksemburgut, me rezultat 4-2.

Kjo fitore dhe goldallimi më i mirë në krahasim me Bjellorusinë ia ka mundësuar vashave të drejtuara nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi që të promovohen në Ligën A të kualifikimeve, që është një sukses i jashtëzakonshëm për futbollin kosovar në përgjithësi, e veçmas për atë femrave.

Me tre gola në fitoren ndaj Luksemburgut ka kontribuuar Aurora Racaj, derisa një gol e ka shënuar Rreze Gashi.

Kësisoj, Kosova i mbylli garat e Grupit 1 të Ligës B me 7 pikë, me dy fitore (ndaj Gjeorgjisë dhe Luksemburgut) dhe një barazim (ndaj Bjellorusisë).

Tani Kosova U17 e pret tërheqjen e shortit në muajin nëntor dhe më pas nëpërmjet ndeshjeve në Ligën A, do të synojë kualifikimin historik në Evropian.