Site icon Telegrafi

Varane tregon hapur se çfarë u ka bërë Ronaldo, por jo edhe Lindelof

Mbrojtësi i Manchester United, Raphael Varane, ka pranuar se ai dhe shokët e tij të skuadrës janë “prekur” nga komentet e fundit të Cristiano Ronaldos.

Portugezi po kërkon me dëshpërim një largim nga “Old Trafford” pas intervistës së tij shpërthyese me Piers Morgan, në të cilën ai akuzoi Unitedin për tradhti dhe përpjekje për ta detyruar atë të largohet. Djajtë e Kuq mund të jenë në gjendje të prishin kontratën e superyllit nëse këshillohen sipas ligjit të punës se sjellja e tij është një shkelje mjaft e rëndë e disiplinës.

Sulmuesi 37-vjeçar shpreson të realizojë një largim gjatë afatit kalimtar të janarit, por një numër klubesh janë distancuar nga lojtari.

“Natyrisht që kjo ndikon tek ne”, pranoi Varane – i cili gjithashtu luajti së bashku me Ronaldon në Real Madrid – në radion franceze Europe1. “Ne ndjekim se çfarë po ndodh dhe çfarë thuhet. Ne përpiqemi ta lehtësojmë situatën në mënyrën tonë, përpiqemi të mos përfshihemi shumë në të”.

“Ajo që po ndodh në nivelin mediatik në klubet e mëdha po merr shumë vrull. Kur është një yll si Cristiano Ronaldo, edhe më shumë, kështu që ne përpiqemi t’i përgjigjemi kësaj me distancim, domethënë se ne nuk po përpiqemi të ndryshojmë situatën vetëm, ne jemi pjesë e një kolektivi”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga Varane,  Victor Lindelof refuzoi të flasë për Ronaldon gjatë një konference për shtyp.

“Nuk e di. Nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ju duhet të bëni pyetjen tjetër”, raportoi Fotbollskanalen të ketë thënë Lindelof kur u pyet për portugezin. Më pas ai u pyet nëse United i kishte kërkuar që të heshtte, për të cilën ai tha: “Është vendimi im”. /Telegrafi/

Exit mobile version