Mbrojtësi i korçarëve Kristi Vangjeli duket se ka një peng nga rezultati zhgënjyes që mori Skënderbeu në transfertën e Beogradit, humbje e cila e kthen thuajse në mision të pamundur kalimin e grupit të Europa League nga “ujqërit e dëborës”.
Pengun, ai e zbulon në deklaratën për “Supersport” të dhënë pas ndeshjes, teksa tha se distanca e murit mbrojtës nga lojtari që do të ekzekutonte goditjen e dënimit nuk ishte respektuar.
“Ata shënuan me anë të një goditjeje dënimi, por distanca e murit nga topi ishte shumë e madhe. Besoj se nëse muri do të ishte në largësinë e duhur, topi nuk do të përfundonte në rrjetin e Shehit”, thotë Vangjeli.
Këtë gjë ai ia kishte vënë në dukje edhe gjyqtarit spanjoll që drejtoi takimin, por ky i fundit nuk e kishte vënë në diskutim vendimin e tij dhe rrjedhimisht nuk mori parasysh kërkesën e mbrojtësit.
Ndërkohë, sa i përket mundësisë për kalimin e grupit, mbrojtësi me shumë eksperiencë korçar thotë se, pavarësisht se është thuajse një mision i pamundur, ekipi do të bëjë maksimumin për t’i fituar dy ndeshjet e mbetura, me Dinamon e Kievit në “Elbasan Arena” dhe me Young Boys në Zvicër.
“Skënderbeu ka treguar se kemi përparuar shumë, por në Europa League nuk është si në kampionat. Me atë ritëm që nis ndeshjen, duhet vazhduar edhe më tej, sepse nëse pësojmë gol nga ndonjë gabim, më pas nuk gjejmë dot forcat e duhura për të kthyer rezultatin. Ndaj ekipeve elitare në Evropë e pëson edhe nga detaji më i vogël. Por ne do të vazhdojmë të punojmë, edhe pse objektivi kryesor është kampionati”, tha Kristi Vangjeli.