Zvicra ka përfunduar aventurën në kampionatin botëror pas humbjes kundër Suedisë.
Mediat zvicerane kanë raportuar se disa prej futbollistëve do të pensionohen me të përfunduar botërori, por një gjë të tillë nuk e ka ndërmend ta bëjë Valon Behrami.
Mesfushori 33-vjeçari ka deklaruar se nuk do ta braktis përfaqësuesen helvetike duke thënë se ende është në gjendje të luajë për kuqebardhët.
“Jam shumë i zhgënjyer me eliminimin”, tha Valon Behrami, “por jam krenar. Unë po largohem prej botërorit me kokë të ngritur. Suedezët na kanë treguar se kemi defekte. Por e marr këtë si një qëllim të ri”.
“Unë dua të vazhdoj. Kam ende motivim të madh në kokën time. Shpresoj se do të funksionojë edhe fizikisht. Ndihem mirë këtu. Mendoj se mund t’i jap këtij ekipi ende diçka”, tha mitrovicasi.
Behrami deri më tani është paraqitur 83 herë për Zvicrën gjatë pothuajse 13 vjetëve. Kupa e Botës në Rusi tashmë ishte turneu i gjashtë i tij i madh duke u paraqitur në kampionate botërore dhe dy evropiane.
Ndryshe, mesfushorin do ta shohim në fanellën e Udineses, megjithëse ka marr oferta prej shumë klubeve evropiane. /Telegrafi/