Site icon Telegrafi

Valmira Thaqi, në prapaskenat e artit të shkrimit dhe menaxhimit

Valmira Thaqi, dramaturge

Prapa skenave të një shfaqjeje teatrale janë skenografët dhe kostumografët, regjisori, koreografët, suflerët dhe mbikëqyrësit e skenës, por në qendër të të gjithave është një histori, një ide e dramaturgut…

Ky profesion sjell me vete shumë sfida, por edhe kënaqësi kur “nga errësira nxjerr diçka të mirë”, na ka zbuluar Valmira Thaqi, dramaturge, skenariste, e cila shquhet për aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të krijuar histori të fuqishme dhe emocionuese përmes artit skenik.

Me një vizion të qartë dhe një stil të veçantë, ajo ka ndërtuar një karrierë të pasur në këtë industri, duke sjellë vepra që janë të pasura me mesazhe dhe eksplorim të thellë të karaktereve. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e audiencës dhe kritikëve, duke fituar vlerësime dhe çmime të ndryshme. Gjithashtu, si producente, ajo ka treguar gjithashtu aftësinë për të menaxhuar dhe udhëhequr projekte komplekse, duke sjellë përmbajtje që janë si të ndjeshme ashtu edhe inovative.

Valmira di çka do nga vetja dhe për synimet e saja do të mësojmë nga intervista në vazhdim.

Si vendose të merresh me dramaturgjinë, si u fute në atë botë? Kush zgjoi dëshirën tuaj për këtë profesion?

Në të vërtetë nuk ishte bota e librit edhe pse që nga fëmijëria ja marrë me shkrime. Që të kanalizohet dhe të zgjohet në mua dëshira për Dramaturgjinë ishte gjatë shkollimit të mesëm. Si nxënëse në Gjimnazin “Sami Frashëri”, ne kishim grupin letrar në të cilin ishim mjaft aktiv, pastaj ishim pjesë e Karvanit të Shkrimtarëve për fëmijë; botonim librin“ Muza” çdo vit, dhe, në vitin e fundit, erdhi për vizitë një organizatë që të realizonte një dokumentar për të rinjtë dhe sfidat e pas luftës. Ishte viti 2001-2002, mua më përzgjodhën të shkruaj skenarin, aty kam kuptuar që ky do të jetë pasioni dhe profesioni im, për të vazhduar pastaj studimet në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Ju jeni duke i dhënë qytetit tuaj shfaqje pothuajse premierë të shfaqjeve tuaja. A ju jep kjo ndonjë kënaqësi të veçantë?

Padyshim që po, është shumë kënaqësi kur tekstet realizohen në produktin final pra në shfaqje. Si dramaturge është ndjesi mjaft e mirë kur shikon në skenë personazhet që ke krijuar duke u jetësuar nga aktorët.

Çfarë teme jetësore ju pushton që ende nuk e keni trajtuar në mënyrë letrare?

Ka shumë…. gjithçka që më rrethon dhe më pengon më preokupon mua dhe të tjerët, kam dëshirë ta trajtoj në shkrimet e mia dhe përmes Teatrit kjo është mënyra më e mirë për t’i thënë. Nëse e marrë në personale, po ka diçka shumë të madhe që lidhet me personalen që do të doja atë personazh ta shoh në film apo në skenë teatri. E di që do ta jetësoj, por do të pres deri në atë kohë kur do të jem e gatshme që e përjetuara ime të shpërfaqet dhe thuhet për botën e gjerë e cila do të shërbejë për të treguar fuqitë e shpirtit njerëzor.

Viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm për ju, dhe kur ktheni kokën pas, mund të mburreni me një numër të madh shfaqjesh. A jeni gati ta nisni këtë vit me energji të reja krijuese?

Gjatë vitit që lamë pas kam patur tri premiera për të rritur dhe fëmijë. “Tjetri” ku jam autore dhe producente me regjisore Kreshnike Osmani; “Gjirafa dhe buburreci”, autore, regjisor Ben Apolloni; “Jam unë ajo”, producente dhe bashkëautore me Dituri Neziraj, regjisor Erson Zymberi. Dhe, pa dyshim që këtë vit e kam filluar me shumë ide dhe projekte të reja që pres t’i finalizoj.

Çfarë raporti keni me publikun në teatër, si do ta përshkruanit ndërveprimin dhe sa i rëndësishëm është për ju?

Ndërveprimi i publikut me shfaqjen është i patjetërsueshëm, sepse audienca është ajo që merr mesazhet, emocionet, drithërimat, të qeshurat nga shfaqjet e që në kontinuitet kjo energji përçohet tek aktorët për të bërë me të madhërishëm dhe magjik teatrin. Në këtë kontekst e vlerësoj shumë, kur jam autore e shfaqjeve kam një këndvështrim tjetër, nuk rresht duke dëgjuar e shikuar si po përjetohet, e për t’i vënë vulën që më ofron shumë kënaqësi është publiku fëmijë… shkrihem, kënaqem me reagimet e sinqerta dhe përjetimet që ata kanë; është vet magjia që ata e marrin nga shfaqja dhe e dhurojnë shumëfish.

Ju deri më tani nuk keni bërë regjinë e dramave tuaja. Megjithatë, a mendoni se është një keqkuptim që si dramaturge mund ta keni për të gjitha çështjet regjisoriale?

Në parim nuk ndikoj dhe nuk jap instruksione për regjisorët, më pëlqen të shoh dhe të kuptoj si ata apo ato shohin në vizionin e tyre tekstet e mia, por para se gjithash me pëlqejnë shumë regjisorët që kanë bagazh krijimtarie, profesionalizëm dhe guxim, e me këto tipare është e rrallë që të të zhgënjejnë me punën e tyre kreative. Në projektet e mia, në disa raste kam qenë dhe Producente, gjë që më ka mundësuar të punoj më regjisor që më kanë bindur për realizimin e tyre. Më pëlqen kur mishërohen dhe dinë të lexojnë mirë atë që tekstet trajtojnë, dhe sidomos kur në leximin e parë e shoh qasjen e tyre, provokimet apo ndezjen e imagjinatës se si do të dukej nga këndi i tyre. Edhe pse në raste të caktuara ka një tendencë paragjykuese ose përzgjedhëse që janë ‘dembel’ edhe në lexim, të udhëhequr nga një bindje e vetëkrijuar për të neglizhuar punën e dramaturgëve shqiptar si diçka më “pak profesionale”.

Të jesh shkrimtar dramash dhe dramaturg është dhuratë apo ndëshkim?

Do të thoja një dhuratë, një profesion që të ofron shumë kënaqësi, ku je vetëm ti dhe e gjithë bota në letër përmes teje.

Si duket procesi juaj krijues dhe në çfarë pike e dini që drama ka përfunduar?

Secili individ është unik në mënyrën e tij, ashtu dhe artistët, parasëgjithash, secili nga ne ka një këndvështrim ndryshe, kur shkruaj si të përfunduar e cilësoj atëherë kur kam arritur ta them atë që dua apo trajtoj përmes personazheve të krijuara dhe në saktësi drama është e përfunduar kur inskenohet. Deri atëherë gjithmonë i kemi disa pyetje për vetveten, ndoshta edhe këtë, edhe këtë… kur realizohet premiera, atëherë është e përfunduar.

Juve ju renditin ndër autoret më produktive. Si arrini të ruani vazhdimësinë?

Në fakt, vazhdimësia të krijohet me kohën duke patur sistem të ndërtuar pune dhe menaxhim kohe, parasëgjithash me shumë se 10 vite menaxhoj Produksionin ‘Bon’ me të cilin realizoj në vazhdimësi projekte të ndryshme, që pa shkëputje kam krijuar platformë marketingu online që lidhet me industrinë kreative dixhitale. Të krijosh dhe punosh paralel në disa gjëra, të duhet menaxhim i mirë kohe dhe vendimmarrje strikte për të arritur rezultatet që synojmë dhe dëshirojmë.

A ka shpresë për artin dramatik, skenik e filmik në vendin tonë apo është një fiksim që besohet nga disa entuziastë?

Jo, nuk do të thoja vetëm në entuziastë, për shkak se viteve të fundit ne kemi shumë emra që janë krijuar dhe kanë depërtuar edhe jashtë kufijve tanë, si në film dhe teatër. E rëndësishme është që të krijohen hapësirë dhe mundësi më të mëdha për gjeneratat e reja në skenën kulturore në përgjithësi.

A mund të sigurosh jetesën duke shkruar skenarë?

Epo, varet në cilin standard jetese vendos ta kesh. Unë nuk e kam siguruar jetesën që kam vetëm duke shkruar, që do të ishte mirë, por pas studimeve, ka qenë shumë më problematike hapësira krijuese kulturore sesa sot. Kam patur dëshirë të krijoj dhe shkruaj vetëm për atë që dua dhe ndjejë nevojë për ta thënë përmes artit. Nëse do të isha e kufizuar në sigurim jetese, nuk do të mund ta bëja këtë për shkak se kur ti je në situatë të tillë edhe mund të punosh e krijosh edhe pavarësisht dëshirës. Këtë luks, e kam krijuar duke punuar fort edhe me produksionin tim dhe me biznes në botën e marketingut. Tani, me pjekurinë dhe përvojat në menaxhim dhe krijime, jam ajo që punoj dhe krijoj paralel me të gjitha gjërat që dua pa u ndikuar nga klanet dhe politikat ditore.

Për çfarë po punoni aktualisht dhe çfarë mund të presë publiku në të ardhmen?

Aktualisht jam në proces të shkrimit të një drame te re, që po ashtu është në të njëjtën frymë; trajtoj temat sociale dhe ndërveprimin e raporteve njerëzore me masën.

Kur nuk jeni duke punuar në një shfaqje apo duke shkruar, si e kaloni kohën tuaj të lirë?

Më falni për modestinë, por në këtë dyndje të pakohë, pafundësisht i përkushtohem vajzës sime Nalta Thaqi, e cila është përmbushja dhe motivi im për të krijuar, punuar, për të patur një botë më të bukur, plot ngjyra, ajo dhe të gjithë fëmijët e vendit tim.

Çfarë po lexoni aktualisht dhe çfarë librash do të na rekomandonit?

E kam lexuar kohë më parë “Kush ma ka lëvizur djathin” nga Spencer Johnson; ia vlen të lexohet sidomos për ata që nuk kanë fokus dhe përzgjedhje autorësie dhe tematike apo zhanri të fiksuar. Ky libër përmes personazheve jo të zakonshme dhe në mënyrë mataforike të stimulon dhe të ofron fuqi ndërveprimi për të patur sukses në jetë.

/Telegrafi/

Exit mobile version