Site icon Telegrafi

Valmir Sylejmani e nisi me gol te Ingolstadti – refuzoi 10 klube në janar: E di sa vlej, më duhet vetëm besimi për të shënuar vazhdimisht

Valmir Sylejmani ka debutuar me skuadrën e tij të re Ingolstadt, e atë në mënyrën më të mirë të mundshme me gol dhe fitore.

Sulmuesi nga Kosova u largua nga Hannoveri pas një viti e gjysmë, por që nuk pati kohëve të fundit hapësirat e duhura në formacionin bazë.

Valmiri këtë edicion luajti me Hannoverin vetëm katër ndeshje në Bundesliga 2 dhe një tjetër takim në Kupën e Gjermanisë.

Por largimi në drejtim të Ingolstadit ishte i duhuri pasi ai e nisi në mënyrë fantastike këtë aventurë me një fitore në derbin rajonal 0-5 nga Nurenberg dhe gol.

Sylejmani në një intervistë për Telegrafin ka folur për klubin e ri, momentet te Hannoveri si dhe ofertat e shumta që ka refuzuar gjatë janarit.

“Ka qenë një nisje e mbarë për mua. Morëm tri pikë të mëdha dhe t’ia filloj aventurës së re me gol ishte diçka shumë e bukur”, deklaroi Sylejmani për Telegrafin.

“E kam ditur se nuk do t’ia filloj ndeshjes si titullar, pasi kisha vetëm katër ditë që stërvitesha me klubin, por trajneri më tha se do të ketë minuta varësisht se si shkon ndeshja. Fatmirësisht bëmë një ndeshje të madhe dhe pati hapësira edhe për mua ku shënova gol. Ishte një nisje shumë e mirë dhe shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë”, deklaroi Sylejmani.

Ingolstadti zë vendin e fundit në Bundesliga 2, ku pas 21 ndeshjeve ka grumbulluar vetëm 13 pikë, megjithatë Sylejmani beson se mund t’ia dalin të mbijetojnë.

“Qëllimi është të arrijmë mbijetesën pasi nuk jemi larg vetëm shtatë pikë kur ka edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit. Ne nuk kemi presion pasi jemi të fundit në renditje, derisa ekipet që kemi sipër nesh janë më shumë në presion. Besoj që nëse vazhdojmë me formën e tillë do t’ia dalim të sigurojmë mbijetesën”, tha Sylejmani.

Te Hannoveri nuk kishte hapësira dhe Sylejmani u largua në drejtim të Ingolstadtit ku nënshkroi kontratë për një vit e gjysmë.

“Te Hannoveri nuk kam pasur hapësirat e duhura edhe pse kam merituar të luaj më shumë. Ata nuk kanë pasur ndonjë arsyeje pse nuk më aktivizonin”.

Gjilanasi thotë se i di vlerat e tij dhe se i është nevojitur vetëm besimi që tani e ka tek Ingolstadti.

“Krejt çfarë më duhet mua është besimi. Ingolstadti ka besuar shumë në mua, mi ka dhënë të gjitha liritë dhe tani do të luaj në pozitën time natyrale si qendër sulmues”.

“Besimi që ma ka dhënë klubi do të mundohem t’ia shpërblej me gola e asistime. Unë e di se sa vlej dhe do të jap maksimumin për klubin që po më beson aq shumë”, shprehet Sylejmani.

Valmiri është një sulmues me emër tani në futbollin gjerman, pasi ai ka luajtur edhe në Bundesliga dhe klubet gjermane e din se sa vlen.

Gjatë afatit kalimtar të janarit për sulmuesin me prejardhje nga Cërrnica e Gjilanit oferta kishin bërë tetë skuadra gjermane nga Bundesliga 2 dhe 3 si dhe dy të tjera, Riga ku aktivizohet edhe Besar Halimi dhe klubi elitar grek PAS Giannina ku trajner është Iraklis Metaxas, një trajner që ka punuar për një kohë të gjatë në Gjermani dhe e njeh Valmirin.

Erzgebirge Aue dhe Karsluher e kërkuan në Bundesliga 2 gjilanasit, derisa në 3 ai u kërkua nga Viktoria Koln, Viktoria Berlin, Magdeburg, Osnabruck, Waldhof Manheim dhe 1860 Munich.

“Kam pasur shumë oferta si nga Bundesliga 2 dhe 3 ashtu edhe në Letoni e Greqi. Kjo është mirë për mua pasi klubet që kanë dashur të më marrin i njohin mirë cilësitë e mija edhe pse nuk kam luajtur shumë kohëve të fundit. Megjithatë unë tani jam te Ingolstadt dhe jam i lumtur për këtë gjë pasi besimin e trajnerit dhe klubit do të mundohem ta shpërblej”.

“Tani jam vetëm këtu dhe gjithë fokusin e kam tek stërvitjet. Jam i motivuar 100 për qind që të bëj më të mirën për vetën dhe klubin”, tha Sylejmani.

Gjatë vitit 2021, Valmiri u grumbullua edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës pas një kohe të gjatë, derisa ai tani shpreson të rikthehet përsëri te Dardanët.

“Mua më mbetet tani të luaj rregullisht të shënoj e asistoj pastaj i mbetet trajnerit të ri të më ftojë ose jo. Bundesliga 2 është një kampionat shumë i fortë dhe e di se nëse vazhdoj me formë të lartë kam shanse të rikthehem te Kosova”.

“Për mua të luaj për vendin tim është krenaria më e madhe dhe shpresoj të rikthehem dhe të luaj”, deklaroi Sylejmani për Telegrafin.

Ingolstadti ndeshjen e radhë e luan ndaj rivalit direkt për rënie Sandhausen ku Sylejmani pritet të ketë hapësira edhe më të mëdha në këtë takim. /Telegrafi/

Exit mobile version