Site icon Telegrafi

Vaksina ruse për COVID-19 arrin në Serbi, megjithëse ende nuk e ka marrë miratimin nga ky vend

Kontingjenti i parë i vaksinës ruse kundër coronavirusit “Sputnik V” ka mbërritur sot në Serbi.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, sekretari Shtetëror i Ministrisë së Shëndetësisë, Mirsad Gjerlek, ka thënë se 2,400 doza të kësaj vaksine kishin mbërritur dhe shpjegoi se qytetarët do të ishin në gjendje të zgjidhnin se cilën vaksinë dëshironin të merrnin.

“… Kjo është një ditë e rëndësishme për Serbinë. Unë mendoj se ne jemi i vetmi vend në Evropë dhe mbase në botë që ka dy vaksina të prodhuesve të ndryshme”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ai ka shtuar se një kontigjent i ri i vaksinës së Pfizer do të mbërrinte më 4 janar në Serbi.

“78,000 doza duhet të mbërrijnë në janar, 98,000 në shkurt dhe 114,000 në mars. Sa i përket përdorimit të Sputnik V, ne presim që të marrim një leje përdorimi për dy ose tre ditë, kështu që do të jetë e mundur të përdoret pas Vitit të Ri”, ka thënë më tej ai. /Telegrafi/

Exit mobile version