Site icon Telegrafi

Vakitë e javës së 15-të në Superligën e Kosovës

Lideri nuk paguan zyrtarët

Të revoltuar me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari kryesor, Idrizi Kelmendi, drejtuesit e Feronikelit nuk i paguan fare personat zyrtarë pas ndeshjes me Prishtinën. Megjithatë, këtë e bën një ditë më vonë përmes FFK-së. Ndërsa, tifozët nga Drenasi kanë vendosur një fotomontazh në të cilën shihet gjyqtari nga Peja me numrin 9 në shpinë dhe me mbishkrimin sipër FC Prishtina.

Hasani nuk i bindet Morinës

Trajneri i Besës, Arbnor Morina për një moment u ndje keq në duel ndaj Llamkosit, kur lojtari i tij, Fidan Hasani nuk iu bind urdhrave të shefit, i cili e sugjeroi të mos shkoi në sulm gjatë një rivënie këndore. Mirëpo, Hasani vetëm e shikoi dhe prapë vazhdoi me të tijën.

Pankarta që flet shumë

‘Nderi më i madh se titulli’, ishte mesazhi i treguar nga anëtarët e grupit ‘Forca’ të Vushtrisë gjatë ndeshjes së Llamkos Kosovës me Besën, duke aluduar në paratë e ofruara nga një person i Besës së Pejës për lojtarët vushtrrias.

Dajaku vazhdon me ‘shou’

Taulant Dajaku edhe njëherë në qendër të vëmendjes me veprimet e tij, sa interesante, aq edhe të rëndësishme. Në ndeshjen e fundit me Trepçën ‘89, mesfushori i Drenicës u shtri për toke prapa murit të gjallë të formuar nga bashkëlojtarët e tij, duke mos i dhënë mundësinë kundërshtarit që ta dërgojë topin zhargas në portë.

‘Minatorët’ e punojnë shqiponjën

Futbollistët e Trepçës ‘89 e kanë shfrytëzuar bankën e rezervistëve në ndeshjen me Drenicën për t’i bërë ca foto, ndërkohë kanë punuar shqiponjën me duar, duke kujtuar futbollistët shqiptar që luajnë në Zvicër, pasi këtyre të fundit iu është ndalur festimi me shqiponjë.

Selmani takon ish-futbollistët

Një takim i rastësishëm ka ndodhur mes lojtarëve të Dritës dhe ish-trajnerit të saj, Agron Selmani në njërën nga kafiteritë e Ferizajt. Tekniku që vjen po nga ky qytet është shprehur i lumtur që ka takuar ish-futbollistët e tij dhe njëherit u ka uruar sukses në ndeshjet e radhës, pas barazimit në udhëtim me Ferizajn.

Mbyllen portat me ‘dry’

‘Gardianët’ kanë mbyllur portat e tyre me ‘dry’ në tri takime të javës 15 në Raiffaisen Superligë. Në tri përballje rrjetat heshtën, duke qenë të siguruara mirë nga rojet e tyre apo ndoshta edhe nga ‘agjërimi’ i sulmuesve të tyre.

‘Alamet’ portierë në Gjakovë

Dueli me më së shumti gola në fundjavë në Superligë ishte ai mes Vëllaznimit dhe Istogut, me tri sosh. Ndërkohë, në dy prej tyre kontribuuan portierët, Altik Muhaxhiri i vendasve dhe Kushtrim Hoxha i mysafirëve. Muhaxhiri bëri një gabim trashanik pas goditjes së Mark Milicajt, kurse Hoxha i dhuroi golin e fitores gjakovarëve, pasi nuk neutralizoi mirë një gjuajtje të futbollistëve vendas.

18 mijë ulëse, vetëm 100 shikues

Stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë ka kapacitet prej 18 mijë ulëseve. Mirëpo, në ndeshjen e fundit të Trepçës me Hajvalinë, të pranishëm ishin vetëm 100 shikues, duke bërë që ulëset të dukeshin të ‘shkreta’.

Deklarata e javës

Deklarata e javës vjen nga trajneri i Besës, Arbnor Morina. “Jemi duke e mundur vetveten. Ky është realiteti. Duhet të mendojmë shumë mirë çka e si për më tutje. Pjesa e parë ka qenë e nivelizuar ku pësuam nga një gabim. Është mëkat që djersa e lojtarëve, po humb për shkak të disa gabimeve të vogla”, theksoi ai pas humbjes 2:0 nga Llamkos Kosova.

Plusi i javës

Plusi i javës është Llamkos Kosova. Skuadra vushtrriase pavarësisht krizës financiare arriti të fitojë 2:0 ndaj Besës së organizuar mirë dhe të fortë financiarisht.

Minusi i javës

Minusi i javës është numri i paktë i golave të realizuara, vetëm shtatë. Më së shumti kishte në takimin Vëllaznimi – Istogu (2:1).

Goli i javës

Golin më të mirë të xhiros 15 e ka shënuar sulmuesi i Vëllaznimit, Mevlan Zeka. Ai realizoi golin e parë për gjakovarët në fitoren 2:1 të ekipit të tij. Zeka shënoi me një gjuajtje me ‘gërshërë’, duke ‘çmendur’ të pranishmit në stadium.

Lojtari i javës

Për të dytën herë me radhë, epiteti i lojtarit më të mirë i takon sulmuesit të Prishtinës, Liridon Latifi. Ai shënoi golin e barazimit në derbi ndaj Feronikelit dhe ishte aktiv gjatë gjithë duelit, duke i sjellë shumë probleme mbrojtjes së ekipit nga Drenasi.

Formacioni i javës:

/SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version