Shaqiri në ndeshjen Hysi – Prishtina
Vëllai i yllit kosovar të Bayern Munishut, Xherdan Shaqiri, Erdini, ishte i pranishëm në kryendeshje. Ai përcolli gjithë ndeshjen, dhe qëndroi në këmbë, te pjesa ku janë të vendosura kamerat televizive. Erdin Shaqiri, njëkohësisht është edhe menaxher i Xherdanit dhe disa futbollistëve tjerë që luajnë në liga të huaja, andaj vëzhgimi i ndonjë lojtari, ka mundur të jetë arsyeja e vizitës që i bëri stadiumit në Merdar.
Muçiqi debuton për ditëlindje
Portieri i dytë i Prishtinës, Alban Muçiqi, ka debutuar për ditëlindje në ekipin e parë. Ai mbushi 18 vjet. Albani zëvendësoi Azem Ahmetin në minutën 80, pasi portieri i parë, Mushica u ndëshkua me kartonin e kuq. Muçiqi pritet të ruajë portën edhe në dy takimet e ardhshme të Prishtinës, ndaj Dritës e Hajvalisë.
Ajvazi kopjon Munishin
Trajneri i Trepçës, Emin Ajvazi, kopjoi Ismet Munishn e Llamkos Kosovës, sa i përket deklaratës. Ajvazi në një mënyrë i quajti gladiatorë lojtarët e tij, emërtim ky i thënë muaj më parë nga Munishi. “Sa i përket lojës i falënderoj lojtarët e mi për angazhim, sepse vërtetë gjatë 90 minutave bënë lojë gladiatore”, tha Ajvazi.
Livoreka ia kap faqen gjyqtarit
Përparim Livoreka i Hysit, pas ndëshkimit me karton të verdhë nga gjyqtari kryesor Kreshnik Vula, ia kapi faqen gjyqtarit. Këtë e bëri në shenjë falënderimi.
Osmanët shënojnë në minutat e fundit
Dy lojtarë me mbiemrin Osmani, kanë shënuar gola në minutat 89 dhe 90+3. Labinot Osmani shënoi një minutë para fundit në fitoren 2:1 të Llamkos Kosovës ndaj Besës, ndërsa te Hysi realizoi Përparim Osmani, në fitoren 2:0 ndaj Prishtinës.
E gëzon korneri
Sulmuesi i Besës, Egzon Gashi shënoi gol nga goditja e këndit. Ai e bëri këtë në takimin me Llamkos Kosovën.
Në Merdar pa kontrollor
Në prokollin e ndeshjes Hysi – Prishtina, nuk figuronte askund emri i kontrollorit, që gjë nuk ndodh zakonisht në ndeshje, sidomos në ato të Superligës. Sidoqoftë, gazeta mëson se kontrollor ishte Feriz Parllaku.
Haxhaj, nga lojtar i javës në rezervë
Mbrojtësi i Prishtinës, Adnan Haxhaj, në fitoren 2:0 ndaj Trepçës ’89, ishte lojtari i ndeshjes dhe nga Arena u vlerësua futbollisti më i mirë i javës 14. Ai kishte shënuar golin e parë me kokë dhe ishte i pathyeshëm në mbrojtje. Ndërkohë, në takimin e radhës, ai ‘nxehu’ bankinën, në humbjen 2:0 nga Hysi.
Drita me supergola
Drita mundi 2:1 Feronikelin, kurse lojtarët e saj shënuan dy super gola. Të parin e shënoi Betim Syla prej rreth 35 metra, kurse Xhevdet Shabani prej rreth 25 metra. Për Feronikelin shënoi Emir Rama, që i realizoi ish-skuadrës së tij.
Morina mundi pasardhësin e tij
Trajneri i Dritës, Arbnor Morina mposhti pasardhësin e tij te Feronikeli, Ramiz Krasniqi. Madje, ai debutoi në Gjilan, pikërisht ndaj Feronikelit, të cilët i drejtoi në fillim të këtij kampionati. /Tribuna/Telegrafi/