Telegrafi

Vakia spanjolle – Iu lutën gjyqtarit të ndalonte ndeshjen në pjesën e parë, shkak rezultati ‘basketbollistik’

Ndeshja e futbollit në Spanjë mes skuadrave të juniorëve të UD Gijon Industrial dhe Club Marino de Luanca shkaktoi reagime të shumta në atë vend.

Gjegjësisht, juniorët e Gijon Industrial festuan duke fituar rezultat të pabesueshëm 41-1!

Për këtë ndeshje ka shkruar edhe gazeta Marca, ku në tekst thuhet se Gijon ka luajtur “nën frena” dhe se ndeshjen nuk e kanë shijuar as lojtarët dhe as trajneri i tyre.

Lojtarët e Gijonit nuk pranuan të kalonin në qendër në momente të caktuara.

“Kjo ishte një lojë që nuk doja të luanim. Ne bënim rotacion, luanin të gjithë, por unë nuk doja që ne të luanim”, ka thënë trajneri i Gijonit.

Sipas gazetës Marca, ndeshjet në kategoritë më të reja zgjasin 80 minuta dhe pas pjesës së parë kur rezultati ishte 17-0, trajnerët e skuadrave i kërkuan gjyqtarit që të ndalonte lojën.

“Nuk mundet, duhet të luash 80 minuta”, ishte përgjigja e shkurtër e gjyqtarit.

Pas vetëm pak minutash në pjesën e dytë, lojtarët e Gijonit shënuan edhe tetë gola tjerë, kur kapiteni i skuadrës i kërkoi gjyqtarit përsëri të ndalonte lojën, por edhe kjo ishte e kotë.

Ajo që është interesante është se rezultati në Federatën e Futbollit të Asturias, nën juridiksionin e së cilës është liga në të cilën luajnë Gijon Industrial dhe Club Marino de Luanco, është regjistruar zyrtarisht si 6:1.

Domethënë, fitorja maksimale që shënohet zyrtarisht është pesë gola diferencë. Pra, klubi Marino de Luanco pranoi zyrtarisht 100 gola në 19 ndeshje këtë sezon, por situata aktuale është se ata pësuan 366 gola.

Marino de Luanco vjen nga një qytet i vogël me vetëm 5000 banorë dhe trajneri i tyre ishte i zhgënjyer.

“Ne përpiqemi t’i inkurajojmë fëmijët sa më shumë që të mundemi, por humbasim javë pas jave. Është demoralizuese. Megjithatë, ata vazhdojnë të vijnë në stërvitje me entuziazëm, por ata mendojnë se çfarëdo që të bëjnë, rezultatet do të mbeten të njëjta”, ka thënë trajneri i skuadrës nga Luanci. /Telegrafi/