Telegrafi

Vajzat afgane sfidojnë talebanët e armatosur, kërkojnë hapjen e shkollave të mesme për femra

Dhjetëra vajza sfiduan talebanët e armatosur duke protestuar rrugëve të provincës lindore të Afganistanit – Paktira, pasi autoritetet talebane mbyllën shkollat e tyre të mesme.

Vajzat e përlotura dhe të veshura me uniformë – dhe shami të bardhë në kokë dhe shallvare të zeza – marshuan rrugëve të qendrës për të protestuar kundër mbylljes së shkollave, transmeton Telegrafi.

E derisa shkollat për vajza mbi klasën e gjashtë janë mbyllur në tërë Afganistanin, pesë shkolla në provincën Paktira u hapën përkohësisht pas rekomandimit të pleqve të fisit dhe drejtorëve të shkollave.

“Pse po luani me emocionet tona? Pse na kthyet pas? Jemi popull i shtypur. Jemi femra”, ishin disa nga thirrjet e këtyre vajzave që nuk mund të ndalnin lotët.

E këtë protestë e kanë konfirmuar dy banorë të këtij qytetit – ku gazetarët nuk janë lejuar të mbulojnë këtë ngjarje.

“Nxënësit protestuan në mënyrë paqësore, por më pas u ndërpre nga forcat  e sigurisë”, tha një banor i Gardizit. /Telegrafi/