Vajza e një ish-zyrtari të lartë të inteligjencës saudite ka thënë për CNN se përfaqësuesit e qeverisë saudite u përpoqën ta bindnin të shkonte në të njëjtën konsullatë ku u vra gazetari Jamal Khashoggi në Stamboll, si pjesë e një sërë kërcënimesh kundër saj dhe familjes së saj.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, Hissah Al-Muzaini, vajza e ish-zyrtarit saudit, Saad Aljabri deklaroi të mërkurën se mbretëria e inkurajoi atë të shkonte në “konsullatë në Stamboll. “Ata u përpoqën të më inkurajonin të shkoja atje”.
“Jam me fat që nuk shkova përndryshe fëmijët e mi nuk do të kishin nënë dhe baba”, tha ajo.
Familja e Al-Muzaini e ka bërë më parë këtë pretendim në një padi civile të paraqitur në fillim të këtij viti.
Sipas padisë, Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman “u përpoq të inkurajonte vajzën e Saad, Hissah Al-Muzaini të shkonte në konsullatën saudite në Stamboll”. Në kohën e shkrimit, qeveria saudite nuk ka kthyer ndonjë përgjigje lidhur me rastin.
Babai i saj Saad Aljabri aktualisht është duke zhvilluar një padi civile në Uashington, DC, duke pretenduar se bin Salman, i njohur gjithashtu si MBS, dërgoi një ekip për ta vënë atë në cak në Kanada, ku ai dhe vajza e tij jetojnë në mërgim, dhe se burrat e përfshirë u kapën dhe u deportuan nga autoritetet në aeroportin ndërkombëtar të Otavës.
Në një intervistë për CBS të transmetuar të dielën, Aljabri – i cili më parë kishte shërbyer si këshilltar i ish-princit të kurorës Mohammed bin Nayef përpara se të rrëzohej në vitin 2017 – përsëriti ato akuza kundër Mohammed Bin Salman Al Saud, tani sundimtari de facto i Arabisë Saudite, dhe pretendoi se ai ka burgosur gabimisht dy nga fëmijët e Aljabri, Sarën dhe Omarin, në Arabinë Saudite. /Telegrafi/