Vajza e Kim Jong Un bëri paraqitjen e saj të dytë publike me të atin brenda disa ditësh, duke ndezur spekulime për planet e mundshme për pasardhësin e mundshëm të despotit të Koresë së Veriut.
Paraqitja e saj vjen në kohën kur u përfol se 38-vjeçari Kim ishte në gjendje të rëndë shëndetësore pasi thuhet se iu nënshtrua një procedure kardiovaskulare në vitin 2020.
Ai ka tre fëmijë me gruan Ri Sol Ju, një djalë i lindur në vitin 2010 dhe dy vajza të lindura në 2013 dhe 2017, sipas raporteve të mediave të Koresë së Jugut.
Dhe fëmija i mesëm, Kim Ju Ae, është shfaqur në fotografi zyrtare me të atin gjatë dy ngjarjeve të fundit publike, duke nxitur spekulimet se ai e konsideron atë si trashëgimtaren e tij, përcjell Telegrafi.
Ju Ae, e cila është rreth 9 ose 10 vjeçe, u fotografua për herë të parë me prindërit e saj më 19 nëntor dhe duke ecur dorë për dore me Kim përpara lëshimit të raketës balistike ndërkontinentale të vendit.
Ndërsa të dielën, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) publikoi sërish foto të saj, këtë herë duke e përshkruar si fëmijën “më të dashur” ose “të çmuar” të Kim.
“Kjo është sigurisht befasuese. Fotografia e Kim Ju Ae duke qëndruar përkrah babait të saj në lëshimin e fundit të ICBM do të mbështeste idenë se ky është fillimi i pozicionimit të saj si një pasardhëse e mundshme”, ka vlerësuar Ankit Panda, një eksperte e “Carnegie Endowment for International Peace”.
Media shtetërore tha të dielën se Kim dhe vajza e tij bënë fotografi në grup me shkencëtarë, zyrtarë dhe të tjerë të përfshirë në atë që e quajti lëshimin testues të Hwasong-17 ICBM.
KCNA nuk e përmendi emrin e vajzës së Kim, por ylli i pensionuar i NBA-së, Dennis Rodman zbuloi gjatë një interviste të vitit 2013 me The Guardian se ai kishte mbajtur vajzën e vogël të Kim të quajtur Ju Ae gjatë udhëtimit të tij në kryeqytetin Phenian. /Telegrafi/