Tajvani ka raportuar një grup anijesh kineze që lundronin në jug të ishullit, ndërsa ushtria e Kinës publikoi një video duke thënë se ishte “e përgatitur për betejë”.
Kina, e cila e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj, e konsideron presidentin Lai Ching-te si një “separatist” dhe ushtria kineze vepron në mënyrë rutinore rreth ishullit.
Javën e kaluar në fjalimin e tij kryesor për ditën kombëtare, Lai tha se Republika Popullore e Kinës nuk kishte të drejtë të përfaqësonte Tajvanin, por se ishulli ishte i gatshëm të punonte me Pekinin për të luftuar sfidat si ndryshimi klimatik.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha në një deklaratë se një grup i marinës kineze i udhëhequr nga transportuesi Liaoning kishte hyrë në ujërat pranë kanalit Bashi, i cili lidh Detin e Kinës Jugore dhe Paqësorin dhe ndan Tajvanin nga Filipinet, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Por, bëhet e ditur se Forcat e armatosura të Tajvanit janë duke vëzhguar nga afër zhvillimet dhe “duke ushtruar vigjilencë”.
Ndryshe, videoja propagandistike u publikua nga Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Ajo tregonte aeroplanë dhe anije luftarake që vepronin së bashku, raketa-hedhës të lëvizshëm dhe automjete sulmi me një hartë të vogël të Tajvanit të përfshirë në një nga karakteret kineze që përbëjnë titullin e videos.
Siç raportohet, Kina nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin. /Telegrafi/