Site icon Telegrafi

Ushtria izraelite vazhdon me sulme në Liban – momenti kur goditet një ndërtesë në Bejrut

Izraeli ka kryer një sulm të ri ajror në Liban, kësaj radhe duke pasur në shënjestër zonat në pjesën jugore të kryeqytetit, Bejrut.

Sulmet ajrore ndodhën pas deklaratës së ushtrisë izraelite, e cila tha se kishte kërkuar evakuimin e disa vendbanimeve.

Përveç periferisë së kryeqytetit libanez, ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës kishte bërë thirrje për evakuim të disa zonave në jug të vendit.

Lidhur me këto sulme, ushtria izraelite sqaroi se kishte dërguar paralajmërime për evakuim për tre ndërtesa në pjesët jugore të Bejrutit, si dhe në qytetet Maashouq dhe El-Shemali.

Ndërkohë, gjatë natës pati shkëmbime zjarri, dhe Hezbollahu deklaroi se kishte lëshuar disa raketa drejt zonës së Haifës.

“Pjesëtarët e Hezbollahut ndërmorën një sulm ajror me një skuadron dronësh sulmues kundër një baze detare në Haifa, e cila i përket Marinës Ushtarake të Izraelit dhe përfshin një flotë nëndetësesh. Baza ndodhet 35 kilometra larg kufirit, në veri të qytetit Haifa. Të gjitha objektivat u goditën me saktësi”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/

Exit mobile version