Site icon Telegrafi

Ushtria izraelite po stërvitet për një luftë të mundshme me Libanin?

Izraelitët kanë zhvilluar një trajnim për t’u përgatitur për mundësinë e një lufte tjetër me fqinjin verior, Libanin, ka njoftuar vetë ushtria.

Bëhet e ditur se rezervistët e një brigade izraelite kanë mbajtur stërvitje të ndryshme gjatë javës “për të përshpejtuar gatishmërinë për një operacion në atë zonë”.

Siç raportohet, qëllimi i stërvitjeve është gatishmëria operacionale dhe përgatitja për “skenarë të ndryshëm luftarak në veri”.

Stërvitja është realizuar në Galilee, rajon i vendosur mes Izraelit verior dhe Libanit jugor, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Pjesë e saj kanë qenë këmbësoria, trupat e blinduara dhe logjistika, ndërsa trupa të tjerë janë stërvitur me forcat ajrore.

Lexo po ashtu Izraeli godet ndërtesën e përdorur nga Hezbollahu në Liban

Ndryshe, për më shumë se shtatë muaj, luftime të ashpra kanë shpërthyer vazhdimisht në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.

Në veçanti, grupi militant Hezbollah ka sulmuar me raketa, artileri dhe predha veriun e Izraelit.

Por, edhe Izraeli ka sulmuar nga ajri pozicionet e Hezbollahut.

Muaj të tërë granatime të ndërsjella kanë shkaktuar dëme në të dy anët e kufirit, duke detyruar rreth 150 mijë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version