Site icon Telegrafi

Urdhërohet evakuimi i 2 milionë banorëve, tajfuni godet Japoninë – meteorologët paralajmërojnë për dallgë gjigante  

Rreth dy milionë njerëz në jugperëndim të Japonisë kanë marrë miratimin e autoriteteve për t’u evakuuar, pas paralajmërimit të ardhjes së një tajfuni të fuqishëm të quajtur Nanmadol, që do të godasë sot këtë rajon, raporton televizioni publik NHK.

Zyrtarët nga instituti meteorologjik kanë paralajmëruar për erëra të forta, dallgë të larta dhe stuhi dallgësh në prefekturën e Kagoshimës, transmeton Telegrafi.

Siç raporton CNN, autoritetet urdhëruan evakuimin e 965 mijë banorëve nga qytetet përgjatë detit Mijazaki, Kagoshima dhe Amakus.

Tajfuni Nanmadol goditi sot Kushun, vendin më jugor në katër ishujt kryesor të Japonisë, e meteorologët paralajmërojnë për stuhi të fuqishme, dallgë të larta “që deri më tani nuk janë regjistruar”.

Ky tajfun është i 14 gjatë këtij viti, që qendra e përbashkët për paralajmërimin e tajfuneve të marinës amerikane e klasifikuan si supertajfun, që do të mund të shkaktonte të reshura rekord, ka bërë të ditur agjencia japoneze e meteorologjisë, duke paralajmëruar për rrezikun nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut.

Në jug të Kushunit janë regjistruar të reshura shiu deri në 500 mm, e pritet që erërat të lëvizin me shpejtësi prej mbi 250 kilometra në orë, derisa në rajonin qendror Tokai mund të ketë reshje deri në 300 mm.

Siç raporton Reuters, kompanitë hekurudhore kanë anuluar udhëtimet në këtë rajon, e përkohësisht janë mbyllur 950 lokale afariste. Pritet që stuhia të lëvizë në lindje dhe të kalojë nëpërmjet ishullit Honshu. /Telegrafi/

Exit mobile version