Telegrafi

Ura e Terzive në Gjakovë, një arritje e jashtëzakonshme arkitektonike

Në afërsi të fshatit Bishtazhin, të Komunës së Gjakovës, e ndërtuar mbi lumin Erenik gjindet Ura e Terzive apo e njohur ndryshe si “Ura e rrobaqepësve”, një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, e cila thuhet së është ndërtuar në fund të shekullit 15-të, e që në strukturë ishte ndryshuar në fillim të shekullit 18-të, duke paraqitur kështu një shembull të rëndësishëm të urave Osmane në Kosovë.

Ura në vete përmban elemente historike, kulturore e arkitektonike, dhe paraqet një objekt me vlera ekonomike e cila përgjatë etapave historike ka shërbyer si rrugë lidhëse për tregtinë që është zhvilluar në zonat e Perandorisë Osmane në atë kohë.

Foto: Shkëlzen Rexha

Ndërsa vlera arkitektonike e kësaj ure qëndron në faktin që është ndërturar nga gurët, dhe përbëhet nga 11 harqe të madhësive të ndryshme, dhe ka një gjatësi prej rreth 193 metrave.

Në kuadër të programit të “Intervenimeve emergjente kulturore” në vitin 2015 u bë konsolidimi i urës nga CHWB Kosova.

Intervenimet u fokusuan kryesisht në pjesët më të dëmtuara të strukturës të shkatrruara nga mos mirëmbajtja.

E pikërisht kjo urë me një histori të pasur është një nga vendet që vizitohet nga shumë turistë e nga shumë qytetarë të qytetit të Gjakovës, të cilët tashmë falë një parku të ndërtuar në afërsi të kësaj Ure në vitin 2019, kanë mundësi që ta shohin Urën e Terzive dhe Lumin Erenik nga afër./Telegrafi/