Mbrojtësi i Përfaqësueses së Francës, Dayot Upamecano u ka kërkuar lojtarëve të Anglisë që të shkojnë herët në shtrat nëse duan të kenë një shans për të ndaluar Kylian Mbappen në ndeshjen çerekfinale.
Tre Luanët do të përballen me fituesit aktual të Kupës së Botës, të shtunën mbrëma për të kërkuar një vend në gjysmëfinale.
Shumica e bisedave përpara ndeshjes kanë qenë nëse Anglia mund të ndalojë yllin e Paris Saint Germain, Mbappe, i cili ka shënuar pesë gola tashmë në turne.
Përpara ndeshjes, qendërmbrojtësi francez i Bayern Munichut, Upamecano, ka këshilluar lojtarët e Anglisë që të flenë një natë të mirë në mënyrë që të ndalojnë Mbappen.
“Kylian është një sulmues krejtësisht i ndryshëm nga kushdo tjetër. Ai është një lojtar i klasit botëror dhe është e vështirë të mbrohesh kundër tij”.
“Duhet të shkosh në shtrat herët për të fjetur”, ka thënë Upamecano.
Ka të ngjarë që mbrojtësi i djathtë i Manchester Cityt, Kyle Walker të jetë njeriu i ngarkuar për të ndaluar Mbappen.
Anglia kundër Francës do të luajë të shtunën mbrëma, më 10 dhjetor, nga ora 20:00. /Telegrafi/