Drejtuesit e Koalicionit “Vakat” kanë njoftuar zyrtarët e UNMIK-ut për shqetësimin në lidhje me çmimet e larta të teksteve shkollore për nxënësit që vijojnë mësimet në gjuhën boshnjake dhe në gjuhën turke.
Kryetari i këtij koalicioni, Rasim Demiri ka bërë të ditur se pas shprehjes së pakënaqësisë në lidhje me këtë çështje, të enjten, ka takuar përfaqësuesit e zyrës së UNMIK-ut për rajonin e Prizrenit dhe Pejës, Tashane Wint, Abedin Lataj dhe Ajshe Çelaj, raporton Telegrafi.
“Në takim kemi shpjeguar në detaje problemin e diskriminimit me të cilin ballafaqohen nxënësit boshnjakë dhe turq lidhur me çmimin e teksteve shkollore. Përfaqësuesit e UNMIK-ut shprehën mirëkuptimin për situatën tonë dhe njoftuan se nesër do të bisedojnë personalisht me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar punën për zgjidhjen e këtij problemi”, ka shkruar Demiri.
Ai është shprehur optimist për gjetjen e një zgjidhjeje në favor të nxënësve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.
“Presim që ky takim i tyre me përfaqësuesit e Qeverisë të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit tanë”, është shprehur përfaqësuesi politik nga radhët e komunitetit boshnjak, raporton Telegrafi.
Një ditë më parë, Demiri pat shprehur shqetësimin lidhur me vështirësitë për zhvillimin e duhur të mësimit në gjuhën boshnjake në fillim të vitit shkollor. Sipas tij, MAShTI duhet të marrë masa për trajtimin e barabartë të nxënësve dhe prindërve të këtij komuniteti, pasi çmimet e teksteve në gjuhën boshnjake janë më të larta se ato të gjuhës shqipe. /Telegrafi/