Telegrafi

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren shpall konkursin plotësues për pranimin e studentëve

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, të premten, ka shpallur konkursin plotësues për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore-baçelor, për vitin akademik 2024/2025.

Në njoftimin e këtij institucioni të arsimit të lartë thuhet se në afatin plotësues të konkursit mund të pranohen 609 studentë të rregullt, prej tyre 134 studentë nga radhët e komuniteteve joshumicë, raporton Telegrafi.

Në Universitet, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHTI, në kuadër të numrit të përgjithshëm të studentëve, mund të pranohen në 51  kandidatë edhe nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

“Të drejtë pranimi në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren kanë të gjithë kandidatët kosovarë, të cilët shkollimin e mesëm e kanë përfunduar në njërën prej shkollave publike apo shkollave private të licencuara në Republikën e Kosovës dhe që e kanë diplomën për shkollimin e kryer. Në Universitet mund të pranohen edhe kandidatët nga shtetet e tjera në kushte të njëjta konkurrimi me kandidatët nga Kosova”, thuhet në njoftim.

Aty janë publikuar informatat edhe lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, si dhe afatet e konkursit, raporton Telegrafi.

“Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit, bëhet prej 9.9.2024 deri më 21.9.2024, nga ora 09:00-15:00 (ditë pune përfshirë edhe të shtunën), dhe në ditën e fundit dokumentet pranohen deri në ora 16:00. Provimi pranues do të mbahet më 24.9.2024”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/