Site icon Telegrafi

Universiteti “Ukshin Hoti” dhe programi i USAID-it nisin partneritetin për edukim dhe praktika në drejtësinë komerciale

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren dhe programi i USAID-it Drejtësia Komerciale janë pajtuar për bashkëpunim në këtë fushë të drejtësisë.

Sipas njoftimit të Universitetit, ky memorandum i bashkëpunimit, formalizon një partneritet që synon avancimin e edukimit dhe praktikave ligjore në fushën e drejtësisë komerciale në Kosovë, raporton Telegrafi.

Memorandumi në fjalë është nënshkruar nga drejtori i Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale, Christopher Thompson, Rektori i Universitetit, Mentor Alishani dhe Prodekani i Fakultetit Juridik të këtij universiteti, Halim Bajraktari.

“Ky bashkëpunim do të kontribuojë në zhvillimin e programeve arsimore, trajnimeve profesionale dhe aktiviteteve praktike për studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Universitetit “Ukshin Hoti”.

Memorandumi, sipas njoftimit, parasheh organizimin e punëtorive, trajnimeve dhe projekteve të përbashkëta “që do të ndihmojnë studentët të përfitojnë nga përvoja praktike dhe të avancojnë aftësitë e tyre profesionale në fushën e drejtësisë komerciale”.

“Me këtë marrëveshje, USAID dhe Universiteti i Prizrenit synojnë të fuqizojnë brezat e rinj të profesionistëve të drejtësisë dhe të mbështesin krijimin e një sistemi ligjor më të fuqishëm dhe transparent në Kosovë”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version