Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, me bashkëpunëtorë ka takuar zyrtarët e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, me ç’rast është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit në programin e gjuhës gjermane.
Sipas njoftimit të këtij Universiteti, veçanërisht është biseduar rreth organizimit të aktivitetit “Ditët e Gjuhës Gjermane”, pastaj për mbështetjen për studentët si dhe për mundësitë e reja për projekte edukative, raporton Telegrafi.
Christian Bottcher nga Ambasada e Gjermanisë ka shprehur vlerësimin për përkushtimin e Universitetit “Ukshin Hoti” në zhvillimin e programeve të gjuhës gjermane, teksa ka theksuar edhe rëndësinë e përforcimit të lidhjeve mes këtij institucioni të arsimit të lartë dhe Ambasadës së Gjermanisë për të promovuar kulturën dhe gjuhën gjermane në Kosovë.
Në anën tjetër, rektori Alishani ka falënderuar zyrtarët e Ambasadës së Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme, dhe njëherësh “ka potencuar rolin e gjuhës gjermane si urë për fuqizimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, raporton Telegrafi.
“Takimi përfundoi me dakordimin për të vazhduar punën e përbashkët në projekte të reja, të cilat do të përfshijnë studentët dhe stafin akademik në aktivitete që nxisin shkëmbimin kulturor dhe ngritjen e cilësisë së edukimit”, thuhet në njoftimin e Universitetit “Ukshin Hoti”. /Telegrafi/