Universiteti “Ukshin Hoti” i Prizrenit dhe Instituti Albanologjik në Prishtinë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore.
Marrëveshja është firmosur nga rektori i Universitetit, Mentor Alishani, dhe u.d. drejtori i Institutit Albanologjik, Naim Berisha, raporton Telegrafi.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, dy institucionet do të bashkëpunojnë në organizimin e konferencave, simpoziumeve, tryezave shkencore, ligjëratave dhe hulumtimeve të ndryshme, sikurse edhe projekte tjera të përbashkëta shkencore.
“Të dyja palët janë pajtuar që të botojnë studime monografike dhe vëllime dokumentare nga fusha e gjuhësisë dhe fushave të tjera filologjike, por edhe të angazhohen në promovimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Universitetit “Ukshin Hoti”, raporton Telegrafi.
Në takim kanë marrë pjesë edhe Adil Olluri, sekretar shkencor i Institutit Albanologjik; Nuridin Ahmeti, shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik; dhe Xhefar Beqiraj, dekan i Fakultetit të Filologjisë e Shkëlqim Millaku nga Universiteti “Ukshin Hoti”, të cilët kanë kontribuar me ide dhe propozime akademike për konkretizimin e bashkëpunimit. /Telegrafi/