Më shumë se 250 nxënës nga shkollat e Gjilanit, Kamenicës, Artanës dhe Preshevës demostruan aftësitë dhe njohuritë e tyre në matematikë.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” e ka mbështetur një aktivitet të tillë, duke u mundësuar nxënësve që t’i nënshtrohen garave “Math Kangaroo 2025” në hapësirat e këtij universiteti.
“Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbështet gjithmonë aktivitete të tilla, duke inkurajuar nxënësit që të vazhdojnë studimet dhe të kontribuojnë në shoqërinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e universitetit.
Në hapje të garës, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në zhvillimin akademik dhe profesional të nxënësve, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me përkushtim dhe pasion për dijen.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e mësimdhënësve dhe institucioneve arsimore në mbështetjen e talenteve të reja në matematikë.
Gara ndërkombëtare u zhvillua në të njëjtën kohë në gjithë Kosovën dhe botën, ku nxënësit e regjionit të Gjilanit morën pjesë në një konkurencë të lartë.
Ndryshe, kjo ngjarje u organizua nga Instituti “Atom”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit, si dhe me mbështetje nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”. /Telegrafi/