Manchester Unitedi ka vazhduar me barazime në Ligën Premier, këtë herë pa gola ndaj Southamptonit.
Ishte një lojë me raste nga të dy anët, por Djajtë e Kuq ishin për një nuancë më të mirë.
Ishte Romelu Lukaku ai i cili rrezikoi portën kundërshtare në minutën e katër, ndërsa në minutën e tetë për mysafirët tentoi edhe James Ward-Prowse.
Ward-Prowse tentoi edhe një herë në minutën e 19-të, por David de Gea nuk lejoi që rrjeta e tij të tundet.
Në minutën e 27-të për Man Utd një rast për gol kishte Juan Mata dhe me rezultatin 0-0 përfundoi pjesa e parë.
Më pak raste kishte në pjesën e dytë, Shane Long kishte të parin në minutën e 51-të, ndërsa Paul Pogba në minutën e 82-të shënoi, por në pozicion jashtë loje dhe goli u anulua.
Pas këtij barazimi Man Utd renditet i treti me 44 pikë, një më pak se Chelsea dhe 14 se Man City. Southamptoni ngjitet në vendin e 13-të me 20 pikë, ndërsa në xhiron tjetër do të luajnë ndaj Crystal Palaces.
Skuadra e Jose Mourinhos do të përballet me Evertonin. /Telegrafi/