Manchester Unitedi thuhet se është gati të shkarkojë Ole Gunnar Solskjaer dhe ta zëvendësojë atë me trajnerin e Paris Saint-Germain, Thomas Tuchel.
Sipas mediumit francez Le10 Sport, United po mban shënime për Tuchel nëse Solskjaer nuk arrin ta rikthejë Unitedin në kulmin e futbollit anglez.
Në anën tjetër mediumi anglez talkSport dhe ai francez L’Equipe, pretendojnë më shumë duke thënë se Unitedi madje e ka informuar gjermanin për interesimin e tyre.
Ata gjithashtu besojnë se ish-trajneri i Borussia Dortmundit është në listën e ngushtë të shumë klubeve të mëdha nëpër Evropë.
“Tre ekipe në Evropë e kanë bërë të ditur që ata vazhdojnë ta ndjekin nga afër, ndër të cilët janë edhe Bayern Munich dhe Manchester United”, thuhet në njoftimin e këtyre mediumeve.
Ky bën lajm shqetësues për Solskjaerin pasi 46-vjeçari është vetëm në muajin e gjashtë të marrëveshjes tre vjeçare që ai nënshkroi me Unitedin në muajin mars.
Unitedi këtë sezon me Solskjaerin ka humbur vetëm një ndeshje, por paraqitjet kanë qenë jo-konkurruese, ndërsa Tuchel është nën presion për të fituar trofeun e Ligës së Kampionëve me PSG-në.
Ai mori përsipër PSG-në në verën e vitit 2018 dhe fitoi titullin e ligës në maj, si dhe Kupën dy vjet radhazi. /Telegrafi/