Site icon Telegrafi

Unitedi dhe City ndahen në paqe në derbin e rivalëve të urryer lokal

Manchester Unitedi dhe Manchester City e kanë mbyllur me barazim 0-0 ndeshjen derbi të javës së 12-të në Ligën Premier.

Ka përfunduar me barazim takimi mes dy rivalëve të urryer lokal, Unitedit dhe Cityt, i zhvilluar në Old Trafford.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë dhe të matur nga të dyja skuadrat, ku nuk munguan rastet.

Megjithatë, rastet e Raheem Sterling (20’), Harry Maguire (31’) dhe Riyad Mahrez (35’) nuk arritën cakun dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat 0-0.

Edhe pjesa e dytë ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat ruheshit të mos pranojnë gol dhe rastet ishin të pakta.

Në fakt, Unitedi ishte afër të gjente golin në minutën e 48-të, pasi gjyqtari akordoi penallti në favor të tyre, por VAR-i e anuloi për pozitë jashtë loje të Marcus Rashford.

Në vazhdim, të dy skuadrat patën disa tentime të vakëta, por pa arritur t’i ndryshojnë shifrat dhe ndeshja u mbyll pa gola 0-0.

Pas këtij barazimi, Unitedi e sheh veten në pozitën e shtatë me 20 pikë, ndërsa City i dhjeti me 19 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Djajtë e Kuq udhëtojnë te Sheffield Unitedi, ndërsa Qytetarët e presin West Bromwich Albionin. /Telegrafi/

Exit mobile version