Telegrafi

United shënon fitore të lehtë, kalon në raundin tjetër të EL

Bruno Fernandes. (Photo by Clive Brunskill/Getty Images)

Manchester United ka kaluar në 1/8 e finales në Ligën e Evropës pasi ka marrë një fitore të lehtë para adhuruesve të vet 5-0 ndaj Club Brugge.

Unitedi e nisi ndeshjen duke sulmuar që nga minuta e parë pasi nuk dëshironin t’i linin asgjë rastit.

Kësisoj në minutën e 23-të, Djajtë e Kuq fituan penallti dhe mbrojtësi mysafir Simon Deli u përjashtua nga loja me karton të kuq.

Manchester United. (Photo by Clive Brunskill/Getty Images)

I saktë nga pika e bardhë ishte mesfushori portugez Bruno Fernandes për ta kaluar Unitedin në epërsi.

Vetëm shtatë minuta më vonë, ishte sulmuesi nigerian Odion Ighalo që shënoi për 2-0 pas asistimit nga Mata.

United nuk u ndal dhe gjetën edhe golin e tretë në këtë takim, kur shënoi skocezi Scot McTominay pasi u shërbye mirë nga Fred.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, por edhe në këtë 45 minutësh dominuan vendasit.

Goli i katërt për Djajtë e Kuq erdhi në minutën e 82-të, kur pas asistimit të Jesse Lingard shënoi Fred për 4-0.

Fred. (Photo by Clive Brunskill/Getty Images)

Krejt në fund të ndeshjes, mesfushori brazilian Fred realizoi golin e dytë personal dhe të pestin për skuadrën e tij për rezultatin përfunditar 5-0.

Kësisoj Manchester United kalon në 1/8 e finales me rezultat të përgjithshëm 6-1 pas dy ndeshjeve. /Telegrafi/