Telegrafi

United rikthehet te fitoret në kampionat, mposht me rezultat të thellë Brentfordin

Manchester United janë rikthyer te fitoret në Ligën Premier, pasi kanë mposhtur Brentfordin në Old Traford me rezultat të pastër 3-0.

Vetëm pas nëntë minutave lojë vendasit gjetën golin e parë në këtë ndeshje.

Ishte talenti Elanga që asistoi për mrekulli për Bruno Fernandes i cili realizoi për t’ia dhënë epërsinë e parë Djajve të Kuq në këtë takim.

Për mesfushorin portugez ky ishte goli i 50-të me fanellën e Manchester United që pas transferimit të tij në verën e vitit 2020.

United krijoi raste të tjera, por pa arritur të dyfishonte epërsinë, pasi goli i Cristiano Ronaldos në minutën e 44-të u anulua nga VAR.

Me epërsinë minimale 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

United në pjesën e dytë shënoi edhe dy gola të tjerë për t’i marrë tri pikë.

Cristiano Ronaldo u përkujdes në minutën e 61-të për ta dyfishuar epërsinë e United në 2-0.

Vetëm 11 minuta më vonë, qendërmbrojtësi francez Raphael Varane shënoi golin e parë me fanellën e United dhe të tretin në këtë sfidë për 3-0.

Deri në fund të ndeshjes, gola më nuk pati dhe United u rikthye te fitoret pas tri ndeshjeve.

Me këto tri pikë, Manchester United mbetet në vendin e gjashtë në tabelë me 58 pikë të tubuara, por me gjasa shumë të vogla për të zënë një vend në Ligën e Kampionëve.  /Telegrafi/