Intervistoi: Dashnim Hebibi
Behgjet Pacolli ka një mision të shenjtë, ai po kujdeset për shëndetin, rritjen dhe jetën e “fëmijës” më të ri në botë. Ai ka një qëllim: të shtojë numrin e njohjeve për shtetin e ri të Kosovës. Behgjet Pacolli “gjezdisë dynjanë” me shpenzimet e veta. Nuk kursen asgjë. Të gjitha i paguan vetë. Pavarësia e Kosovës për atë nuk ka çmim. Behgjet Pacolli nuk ndalet as edhe atëherë kur e pengojnë. Madje e pengojnë zyrtarët e Kosovës, sepse ata të Serbisë nuk kanë çka t’i bëjnë. E ka rrëzuar përtokë edhe ministrin e jashtëm serb. Behgjet Pacolli ekskluzivisht për ju rrëfen tregimin e suksesit të tij të lobimit për pavarësinë e Kosovës.
Z.Pacolli, ka disa ditë që po qëndroni në SHBA dhe keni realizuar shumë takime të ndryshme me lider të njohur, që e kanë njohur Kosovën dhe që nuk e kanë njohur ende. Po e fillojmë këtë bashkëbisedim, me pyetjen se a është lodhur z.Pacolli nga këto takime?
Po është e vërtetë që kam pasur shumë takime. Në qëndrimin e parë në Nju Jork kur lobuam kundër rezolutës serbe, unë takova 36 delegacione, kryesisht vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe tani, gjatë punimeve të Samitit të OKB-së, pra kur Nju Jorkun e vizitojnë kryetarë shtetesh dhe qeverish, kam takuar shumë prej tyre.
A lodhem? Shpesh – nuk ka biseda të lehta, veçanërisht kur takon vende ku më parë kanë shkuar zyrtarët e Serbisë, apo kur kemi vështirësi të tjera. Por, unë nuk do lodhem kurrë për Kosovën. Të gjithë ne i kemi borxh asaj.
Nuk kam nevojë për merita, dua rezultate
Duket se ka një refuzim deri në injorancë për lobimin tuaj nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Si e shpjegoni ju këtë qëndrim injorues ndaj jush?
Më vjen keq që dhe ju po e konsideroni se unë dua merita. Jo unë nuk dua merita, por unë dua rezultat, d.m.th., njohjen e mjaftueshme të Kosovës nga një numër shtetesh që kështu të arrihet presioni i duhur që të bëhemi anëtarë të OKB-së. Rezultati arrihet nga bashkëpunimi, nga ndarja e punëve, nga koordinimi, nga hartimi i një strategjie. Për këtë arsye unë kam kërkuar krijimin e një Trupe koordinuese për lobimin e të gjithë atyre që si unë- pra s’dua fare të jem vetëm- kanë mundësi me bërë diçka për Kosovën. Në fakt, nga ministria e jashtme s’ka deklarata, por ka injorim. Unë hap shtigje për ta, ata jo vetëm nuk ecin në to, por mundohen të më pengojnë.
Keni pasur shumë takime me burrështetas dhe gjithnjë po realizoni. Cili ka qenë takimi juaj më i vështirë?
Ka pasur shumë takime të vështira, dhe më të vështirat janë ato që zhvillohen me ata burrështetas që më parë janë kontaktuar nga pala serbe, apo kryetarë shtetesh që pretendojnë se njohja e Kosovës do t’u krijojë probleme me pakicat që kanë brenda shteteve të tyre.
Ju kanë premtuar shtete që do ta njohin Kosovën së shpejti?
Sigurisht. Janë disa dhe jo vetëm në një kontinent. Kemi në Amerikën Latine, në Afrikë, etj. Por s’po jap data, dhe emra, sepse procesi i lobimit është kompleks. Është vendimmarrje në disa nivele, pa folur që po verifikohet një paradoks. Sa më shumë interesim ndërkombëtar u krijua rreth Kosovës, aq më shumë rezistencë krijohet në disa shtete. P.sh dëgjova se disa shtete afrikane duan të vendosin kushte vendeve evropiane që po i kërkojnë njohjen e Kosovës, që lidhen me njohje të tjera apo me borxhet e këtyre shteteve afrikane ndaj Evropës. Besoj e qartësova sa e komplikuar është kjo punë dhe pse është i nevojshëm koordinimi i punëve mes miqve të Kosovës dhe institucioneve të saj.
Keni vizituar mbi 100 shtete të botës me të vetmin qëllim njohjen e Kosovës. I keni thënë vetes ndonjëherë, ndalu, se po pengohesh në punë?
Jo përkundrazi. Në jetën time të gjatë, kaluar me punë, kam hasur shumë vështirësi, shumë pengesa. Nuk jam ndalur asnjëherë. Megjithëse duhet të them se pengesat e politikës janë më të vështira për t’u kapërcyer se ato të biznesit.
A je pishman për punën që ke bërë dhe që je duke bërë?
Siç ju thashë, puna që po bëj dhe do bëj dhe në të ardhmen është shlyerje e borxhit që i kemi Kosovës dhe që realisht nuk mund ta shlyejmë as sikur të kemi dy jetë. Angazhimi për lobim u ndërtua mbi bazën e aktivitetit të mëparshëm për t’i dhënë Kosovës statusin e shtetit të pavarur. Ju e dini se që nga 1999 deri në 2007, Kosova nuk pati një status të caktuar dhe për të duhet të merrej një vendim nga fuqitë e mëdha perëndimore. Unë kam lënë gjurmën time personale bashkë me ekipin tim lobues dhe në këtë proces, madje dhe në thënien e fjalisë prej presidentit Bush në Tiranë, se "mjaft është mjaft. Kosova duhet të jetë e pavarur".
Normal se i mungoni shumë familjes. Ke përkrahje edhe nga familje?
Është e njohur botërisht se megjithëse me këtë lloj pune dhe angazhimi që të çon më shpesh jashtë Kosovës, unë kam qenë dhe mbetem shumë familjar, i lidhur ngushtë me familjen time. Ajo përbën burim të madh fuqie për mua.
Jeni i pathyeshëm edhe pse ka zëra të kritikës. Prej nga e gjithë kjo energji?
Energjia? Jo vetëm prej brendësisë sime, shpirtit tim, por dhe prej inkurajimit të mijëra qytetarëve të Kosovës, që i takoj rrugëve, odave, apo shtëpive të katundeve dhe qyteteve tona. Shikoni vetëm një element, ju lutem! Mijërat e komenteve pozitive për veprimtarinë time lobuese nëpër faqet e gazetave online dhe do kuptoni ndjenjën që provoj unë sa herë sjell një sukses të ri për Kosovën.
Partisë suaj gjithmonë i keni munguar, por qëllimi juaj, është që t’i sillini njohje të reja Kosovës. A mund të na thoni, do të mbeteni gjatë në politikë?
Kohët kanë ndryshuar, dhe sot drejtimi i partisë mund të zhvillohet dhe ndryshe. Edhe sikur të isha 100% të kohës në Kosovë, unë do delegoja ashtu si dhe sot shumë detyra tek zëvendëspresidentja Mimoza Kusari dhe dy nënkryetarët e mi, Profesor Ibrahim Gashi dhe Ibrahim Makolli, tek kryesia e partisë. Ata punojnë me përkushtim që populli ta kuptojë dhe vlerësojë AKR-në, si parti e shpresës së madhe, si parti e papërlyer nga të palarat e korrupsionit, dhe më në fund dhe falë kontributit tim, si parti që ka bërë shumë për konsolidimin e shtetësisë të Kosovës. A do mbetem gjatë në politikë, këtë e vlerëson qytetari i Kosovës, dhe ai din ta japë mirë verdiktin, vlerësimin.
Keni angazhuar katër kompani lobuese dhe jeni optimist se do të realizohen të gjitha projektet që i keni?
Besoj se shumica e objektivave do të arrihen. Por duhet të kuptoni se në angazhimin lobues përfshihem dhe unë në vetë të parë. Për shkak të eksperiencës ime të mëparshme në biznesin ndërkombëtar, unë njihem botërisht si njeriu i punës dhe kam miq shumë presidentë, mbretër, kryeministra, etj.
Nuk po pengohem unë, po pengohet Kosova
Pse sipas jush po pengoheni për lobim?
Pse po pengohem unë, apo Kosova? Sepse unë konsideroj se mua nuk më pengon dot askush, ndërsa Kosovës po ja zgjasin ciklin e shtetësisë së saj. Dmth kush më pengon mua, në veprimtarinë time lobuese, pengon Kosovën. Nuk më dëmton mua, por Kosovën. Pse po pengohem? Pengohem më së pari nga Serbia, e cila ka marrë shumë goditje radhazi në skenën ndërkombëtare, ndaj ajo do që të bllokohen njohje të reja të Kosovës. S’po flas më shumë për pengesat e tjera.
Çka të bezdis më shumë?
Mungesa e sinqeritetit, mungesa e përkushtimit të politikës në punët e vendit, në punët e Kosovës. Mungesa e shpirtit.
Ata që mundohen të përbuzin mundin tuaj, cila do të ishte porosia juaj?
Behgjet Pacolli nuk di të ndalet nëse vendos një objektiv, ndaj e kanë të kotë. Në fund të fundit siç e thashë, unë jam në politikë dhe kush vlerëson më mirë mundin tim, ai është qytetari i Kosovës.
Shoqëria jonë, me një përqindje të madhe të qytetarëve, vazhdon të jetë shoqëri e zhgënjyer dhe e dëshpëruar, mendoni se do të vijë dita e gëzimit?
Ndoshta s’jam dakord këtu. Shoqëria jonë ende nuk është çliruar nga gëzimi i lirisë dhe i pavarësisë, dy momente unike në historinë e tij dhe kjo e bën popullin e Kosovës si një nga popujt më optimistë të botës edhe sipas sondazheve. Me këtë ndjenjë është duke spekuluar pak politika, por s’mund të vazhdohet më kështu, me u luajtur me durimin popullor. Ndërkohë ka shumë shenja zhgënjimi. Ky popull i durueshëm s’mund të jetë kështu. Më besoni, nëse ka përkushtim është shumë e lehtë të qeverisësh Kosovën. Ne jemi një vend i bekuar nga perëndia. Kemi shumë burime natyrore, tokë pjellore, kemi një popull të ri dhe të mrekullueshëm, me shumë aftësi. Na duhet vetëm një drejtim i mirë politik.
Pse filluat të merreni me politikë?
Diku kam lexuar më duket De Golin që thotë se politika është një gjë shumë serioze për t’ua lënë politikanëve. Pas një refuzimi të vazhdueshëm për t’u marrë me politikë, pas pengesave të vazhdueshme që të isha i pranishëm në Kosovë dhe ta ndihmoja popullin tim, u binda se politika është një instrument i dobishëm për ta bërë këtë. Votat e qytetarit janë një mandat besimi që s’ ta heq dot askush, dhe ke shumë mundësi ta ndihmosh qytetarin. Unë kam votat e qytetarit, unë kam idetë e mia për të qeverisur ndryshe, pa korrupsion, me mençuri dhe përkushtim. Nëse populli e ka të qartë këtë, dhe do të ma japë mundësinë për më shumë, jam i bindur se nuk do të zhgënjehet. Unë nuk merrem me politikë për t’u pasuruar. Unë e kisha pasurinë, para se të hyja në politikë. Dhe ky është një moment i rëndësishëm apo jo?
Politika për ju profesion apo interes personal?
Në një farë mënyre ju përgjigja kësaj pyetjeje më parë. Politika është interes publik, jo personal. Profesion? Mund të quhet kështu, por s’mund të jetë profesioni i vetëm i një politikani. Kam drojën se kjo është e keqja më e madhe që karakterizon një pjesë të klasës sonë politike në vendet tona. E kanë politikën, profesionin e parë dhe të vetëm të jetës së tyre. Duke qenë kështu e kanë politikën dhe interes personal.
E dimë se jeni shumë modest, por për hir të kërshërisë të opinionit, na jepni një pasqyrë, sa shpenzoni për një ditë për një takim me liderë të ndryshëm për lobim të Kosovës?
Sinqerisht më duket e tepërt ta bëj një gjë të tillë. Sigurisht është diçka e kushtueshme, por që duhet të bëhet. Është e domosdoshme që të bëhet.
Ju bezdisin udhëtimet nga një kontinent në tjetrin?
Jo, dhe aq. Unë kam një shpirt udhëtari dhe në fund të fundit udhëtimi im është udhëtim tipik misionari. Pra unë udhëtoj me mision dhe kjo më ndihmon ta kapërcej lodhjen.
Kur jeni duke udhëtuar, ku ju shkon mendja më shumë?
Tek familja ime. Unë kam dy fëmijë të vegjël që janë shumë të lidhur me mua dhe që kanë shumë nevojë të rrinë me mua.
Nuk do të ndahet Kosova
Ndarja e Kosovës po shikohet gjithnjë e më shumë si një variant i mundshëm, edhe pse shumë nga qarqet e Kosovës, po edhe ndërkombëtarët e mohojnë herë pas here. Sa e rëndë është shkëputja e një pjese të rëndësishme për Kosovën, siç është Veriu i saj?
Shikoni, dua t’ju qetësoj me bindjen time se Kosova nuk ndahet. Ky është një vendim kategorik i bashkësisë ndërkombëtare, i miqve të mëdhenj të Kosovës. Kosova është një shtet normal me status të zgjidhur dhe tërësia territoriale e një shteti është elementi themelor ku mbështetet ekzistenca e tij. Ata që shqetësohen nga hipoteza e ndarjes, i vlerësoj sepse me shqetësimin e tyre shërbejnë për të rritur ndjeshmërinë e publikut për bisedimet, për seriozitetin e drejtuesve të institucioneve tona me hyrjen në bisedime. D.m.th. i detyrojnë të bëhen më seriozë. Megjithëse unë besoj se gjithë faktorët politikë duhet të jenë në një mënyrë të përfshirë në bisedime, nëpërmjet përcaktimit të atyre që duhet të jenë vijat e kuqe të pakalueshme të bisedimeve.
Shkëmbimi me pjesën veriore të Mitrovicës me Luginën e Preshevës, a ju duket ky një “pazar” i arsyeshëm?
Askush nuk ka mandatin t’i shndërrojë tokat e të parëve tanë në monedhë shkëmbimi. Shqiptarët e Luginës, sigurisht duhet të kenë një status të barabartë me atë të serbëve të Kosovës. Parimi i reciprocitetit është i domosdoshëm në situata të tilla.
Në bisedimet që po parashihet se do të fillojmë me Serbinë, a mendoni se duhet të jetë edhe ndonjë përfaqësues i Luginës së Preshevës?
Përfaqësuesit e Luginës mendoj duhet të jenë më të zëshëm për t’i zgjidhur problemet e tyre atje ku janë dhe nuk e shoh të domosdoshme hë për hë praninë e tyre në këto bisedime.
Z.Pacolli sigurisht se kemi dhe shumë çka të pyesim. A mund të na thoni, kur do të ndaleni nga puna juaj lobuese dhe humanitare?
Për punën lobuese ka një fund që lidhet me arritjen e objektivit- anëtarësimi i Kosovës në OKB. Ky objektiv nuk arrihet vetëm me lobim, megjithëse lobimi është themelor në këtë proces. Unë kam besim se koniunktura ndërkombëtare ka ndryshuar dhe kjo u duk me diskutimet në Asamble për rezolutën e re të Bashkimit Evropian për Kosovën, që Serbia u detyrua ta pranojë. Sa për punën humanitare, do ta vazhdoj deri kur perëndia të më marrë. Nuk shoh ndonjë arsye për t’u ndalur. Populli ynë do të ketë dhe për një kohë të gjatë vështirësi të mëdha dhe pabarazitë në një shoqëri kapitaliste janë bashkëshoqëruese. Unë ndihmoj shumë, megjithëse dikush nuk e sheh. Ani, e di perëndia dhe shpirti i atyre që e përftojnë ndihmën time. Ata më japin uratat dhe unë jam i lumtur.
/Telegrafi/