Telegrafi

UNË JAM ME DEMIN

Poezi nga: Marin Sorescu
Përktheu: Sulejman Mato

Asnjë s’do të mundesh
Ta qëllosh me brirë, miku im dem!
Brenda njëzet minutave ti do vdesësh.
Rreth minutës së 17-të dhe të 20-të.
Lufta jote me brirë do të tradhtohet
Dhe nxitimi yt do të keqtrajtohet.

Si një luan hyre në arenë
Duke ngritur lart rërën e verdhë me thundra
Qysh tani bie erë gjak nga gjaku yt,
Qielli rëndon dhe nxin si re e zezë.
Arena të ngjan si një retinë syri që zgjerohet nga tmerri,
Je i bukur dhe i fuqishëm, gjithë bota të duket jotja,
bota bashkëfajtore që të shikon.

Ja, po i drejtohesh kalit me sy të lidhur,
me koracë mbrojtëse në bark,
Mundohesh ta ngresh lart, me brirë,
por kalorësi i armatosur ta nguli shtizën,
ta ngjeshi fort, e nxori nga mishi dhe ta nguli përsëri
ndërsa ti, si fëmijë i padjallëzuar
po rrekesh ta mposhtësh atë qenie të çuditshme
veshur në çelik.

Tani gjaku të gufon, hidhet lart me furi
nga nxehtësia dhe vrulli ti s’ndjen ende asgjë
Shih si të dridhet mjekra, por ti s’ndjen fare dhimbje.
Përpara toreadorit shtatlartë, ngjan si mumje, me njolla gjaku mbi shpinë.
Mendohesh, dhe vrapon nëpër arenë si era
Mes reve dielli të sheh sytë e kthjellët, ende
Ndjehesh plot force dhe gjallëri
Ç’kërkon të bësh? T’u hidhesh parmakëve?
Toreadorët të vërtiten gjithandej të tmerruar.
Mos, mos, në këtë kurth ujqërish mos bjerë.
Kjo s’mund të quhet një luftë e ndershme
Armët e tua janë vetëm dy brirë
dhe ata sigurisht do të të mashtrojnë
duke të gjuajtur vazhdimisht me shtiza
Tani lëvizjet kanë nisur të të lodhin
gulçon i tëri, mezi merr frymë,
Ndjen therje të tmerrshme nga këmbët dhe kërcimet
po prapë nuk jepesh, mbledh forcat për luftë,
Vrapon si në ëndërr mes britmash eksitonjëse
Përballë të dalin të tjerë kundërshtarë
Me shtiza të reja, edhe më të përgjakshme.
Të parën me mjeshtëri ta ngulën në shpinë,
Por ti ende mbahesh, mbledh forcat,
pandeh se pësove një gërvishtje të lehtë,
vrapon në arenë, ngre rërën me thundra.

Eh! S’mund të vraposh aq shpejt sa më pare
Kryqëzohen përsëri vështrimet tona
Më dukesh i habitur dhe i turbulluar,
“Ç’dreq loje qenka kjo?!”
Të qëllojnë përsëri me shigjeta në shpinë
shndrisin dhe vetëtijnë nën diell si flatra,
Dhe mua befas më kujtohet demi asirian me flatra.
Bën një përpjekje tjetër të arrish
ndonjërin prej tyre… Kurse tjetrin…
Duke kërcyer ngre rërën përpjetë.
Gulçon, merr frymë me zor.
të varet jashtë buzëve gjuha.
Ç’po ndodh kështu? Ç’po ndodh kështu me ty?!
Ndoshta të shtyp, të merr frymën gjithë kjo turmë,
të rëndon arena me spektatorë,
të duket e vogël? Përse shpërthyen duartrokitjet?
Me shpatën e zhveshur nën cohën e kuqe
po të afrohet vjedhurazi matadori.
Shiheni sy në sy
Ki kujdes! Mos e humb fillin,
ai është i zoti të të hipnotizojë!

Plagët e rënda të therin, të djegin egërsisht
gjithnjë e më fort. Ç’pamje komike!
Ai të ndjell sërish. “Oleee!
Cohën e kuqe të tund para hundëve,
ti i vërsulesh më me tërbim, si një i verbër e si leshko
por ai kthehet me shpejtësi nga ana tjetër,
të sulet si rrufe, të godet fort, majtas, djathtas,
të vjen për të qeshur.
Tani ai ka merr e një perëndie.
ti dukesh i lodhur, por mblidhe mendjen,
Mos gabo më, bëji sytë katër!
Me shpatë fshehur pas cohës së kuqe
po të pret matadori.
Të shan, të fyen, kërkon të ta mashtrojë.
Qëlloje me brirë!
Tani askush s’bën lëvizje të sakta
Dukeni të dy të lodhur për vdekje
Nëse vrisni njeri tjetrin gabimisht
merr fund korrida…

Kjo lojë barbare mbaron me turp.
Por ti s’duhet të gabosh më. Jeni të ndershëm ju demat.
Veproni sipas ligjeve të paracaktuara,
ashtu si ne me iluzionet.
Tani matadorit i sjellin një shpat më të mprehtë
ti zbythesh paksa, ai të shan të fyen,
të sulmon egërsisht, ti bën një hap, ndalon,
rrëmon rërën me këmbët e para
ai ngre shpatën, të shënon mbi shpinë
ti vjen rrotull, vrapon, godet plot mëri mbi çelikun e mprehtë,
doreza e thikës ka mbetur jashtë.
Tani ngjan si një hu i kullotave të Andaluzisë
Duartrokitje të stuhishme, pafund.

Dikush ulërin pranë meje
“Mbyte! Ngordhe fare!” Ah! Gjunjët t’u thyen
Tani ngjan si një lutje e pafund demash,
si një fund tragjik e i pashmangshëm.
Ç’po bën kështu? Kërkon të ngihesh përsëri?
Mbledh forcat ,kërcen shkathtësish e krenar,
me kurm të shpuar tejpërtej nga shtiza
po kundërshtari yt qenka mjeshtëri zoti
të ngjan sikur sheh ngado arna të gjakosura
më kot u sulesh me tërbim
kundërshtari yt ta shkuli shtizën e përgjakur,
I gëzuar dhe ngadhënjimtar,
Lëkundesh, rrëzohesh, gjuhëjashtë,
i hedh një fluturimthi thikës së shndritshme.
Stadiumi gumëzhin, brohori, britma, tribuna u çmend fare…
Duartrokitje frenetike… A i dëgjon?
Përplasin këmbët, fishkëllijnë.
Vetëm unë poeti jam me ty,
qaj në heshtje nga dhimbja.

S’e kishe menduar vdekjen se je thjesht një dem.
Çfarë krenari e rrallë? Je kafshë pa iluzione.
Tani tre kuaj po vijnë të të tërheqin zvarrë
Nën trompeta dhe britma entuziazmi të marra.
E ndjeva, qysh në çastin e pare,
se si kundërshtari yt u tall me sulmin tënd krenar,
tani si i pa shpirt po të tërheq zvarrë.
E përshëndesin të gjithë
dhe ai i falënderon me një përkulje të lehtë.
Si një stuhi ishte jeta jote, e beftë dhe e shkurtër,
tani të gjithë të harruan, duartrokisnin vrasësin tënd.

Vetëm unë poeti mbaj anën tënde,
Më vjen kaq keq, më vjen kaq keq…
Si mbaj dot lotët e shpirtit që më dhëmb.