Telegrafi

Uji i pijes dyshohet të jetë përzier më atë të ujitjes, “Hidroregjioni Jugor” me apel për banorët e tri rrugëve në “Arbanë” të Prizrenit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka udhëzuar banorët e tri rrugëve në lagjen “Arbanë” që ujin ta përdorin vetëm për nevoja sanitare, deri në një njoftim të ardhshëm.

Sipas “Hidroregjionit Jugor” dyshohet se si rezultat i ndërhyrjeve të pa autorizuara në rrjet, ka ardhur deri të përzierja e ujit të pijes me atë të ujitjes, raporton Telegrafi.

“Pas ankesave të konsumatorëve të lagjes ‘Arbana’, lidhur me kualitetin e ujit të pijes, zyrtarët e KRU-së, kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes për të konstatuar gjendjen faktike. Nga konstatimi i zyrtarëve të kualitetit të ujit të pijes, uji nga burimet e Kompanisë është në plotni me standardet e kërkuara”, thuhet në njoftim, ku tutje sqarohet se në tri rrugët e kësaj lagjeje ka probleme.

“Megjithatë në rrugët: ‘Faik Qabrati’, ‘Arbëreshët e Kalabrisë’ dhe ‘Arbëreshët e Zarës’, ka përzierje të ujit të pijes me ujin e ujitjes. Kjo si shkak i ndërhyrjeve nga persona të pa autorizuar në rrjetin e ujësjellësit”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye në këto lokalitete është kërkuar që uji mos të përdoret për pije, raporton Telegrafi.

“Deri në identifikimin dhe eliminimin e kësaj ndërhyrjeje ilegale, kërkojmë nga konsumatorët e rrugëve të lartcekura që ujin ta përdorin vetëm për nevoja sanitare”, ka apeluar KRU “Hidroregjioni Jugor”.

Në të njëjtën kohë, anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e AAK-së, Bajram Kastrati ka theksuar se në amvisëritë e lagjes ‘Arbanë’, te pjesa e transitit, ka tri ditë që uji i pijes është i ndotur.

“Në bashkëpunim me ‘Hidroregjionin Jugor’ kemi konstatuar se diku në oborret tona është bërë një lidhje me atë të ujit të ujitjes që urojmë të jetë pa dashje. Luteni të bashkëpunojmë me ekipet e Kompanisë që ta gjejmë dhe ta eliminojmë problemin”, ka apeluar Kastrati. /Telegrafi/