Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovicë”, ditë më parë ka nënshkruar marrëveshjen mbi ofrimin e shërbimit të ujit në bashkëpunim me Komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ndërsa pritet të nënshkruhet kjo marrëveshje edhe me Komunën e Leposaviqit.
Kjo marrëveshje është nënshkruar edhe me mbështetjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shkruan Telegrafi.
Qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes ka të bëjë me sigurimin e ujit të pastër dhe të sigurt për konsumatorët, ofrimin e ujit në sasi të mjaftueshme dhe pa ndërprerje, menaxhimin efikas të faturimit të shërbimeve të ujit, inkasimin e pagesave nga konsumatorët dhe investimet për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit të ujit.
“KRU ‘Mitrovica’ Sh.A. është ndërmarrje publike dhe misioni i saj ka qenë, është dhe do të jetë shërbimi i qytetarëve/konsumatorëve të saj pa dallim dhe pa diskriminim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/