Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” i’u ka bërë thirrje konsumatorëve t’i mbrojnë ujëmatësit, rubinetat dhe tubacionet tjera të ujit nga ngrirja dhe dëmtimi, pasi që tashmë jemi në sezonin kur presim uljen e temperaturave dhe shfaqjen e ngricave.
Sipas njoftimit, mënyra më e mirë për t’i mbrojtur është që mbi ta të vendosin stiropor, dërrasë, lesh xhami e të tjerë, shkruan Telegrafi.
“Mënyra më e mirë për të mbrojtur matësin e ujit është termoizolimi i pajisjes matëse duke vendosur mbi të një material termoizolues – stiropor, dërrasë, lesh xhami e të tjerë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se po ashtu edhe rubinetat e oborrit duhet të mbyllen dhe instalimet e ujit të oborrit duhet të zbrazen ose mbrohen në kohën e duhur.
“Nëse merren të gjitha masat e nevojshme, përdoruesit do të shmangin ndërprerjet e furnizimit me ujë të cilat vijnë si pasojë e avarive për shkak të ngrirjes së tubave dhe matësve të ujit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/