Telegrafi

Uellsi vazhdon në çerekfinale (Video)

Përfaqësuesja e Uellsit është kualifikuar në çerekfinale të ‘Euro 2016’ në dëm të Irlandës së Veriut, të cilën e mposhti me rezultat 1-0.

Gjysma e parë la shumë për të dëshiruar, pasi nuk dhuroi shumëçka për të shijuar. Në këtë pjesëlojë, Irlanda e Veriut qëndronte prapa dhe priste sulmin e uellsianëve.

Ndërkaq, skuadra e Uellsit ishte e kujdesshme në mbrojtje dhe nuk shkonte shumë përpara, derisa Bale dhe Ramsey nuk treguan atë që pritej në këtë fraksion të lojës.

Në gjysmën e dytë, uellsianët shtuan përpjekjet për të shënuar. Fillimisht, Ramsey dërgoi një harkim në zonë, por goditja e Sam Vokes nuk ishte e saktë. Më pas, Bale goditi fuqishëm nga gjuajtja e lirë, por portieri kundërshtar e mbrojti.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 75-të. Bale harkoi nga e majta, ndërsa në përpjekje për ta larguar topin, Gareth McAuley e futi në rrjetin e vet.

Në minutat e mbetura, lojtarët e Irlandës së Veriut nuk ia dolën që të shënonin, ashtu që u eliminuan nga Kampionati Evropian. /Telegrafi/