“Bienvenue en France” (Mirëserdhët në Francë) është tema kryesore e shfaqjes spektakolare të shpirtit francez dhe koreografisë gjigante të ceremonisë së hapjes para ndeshjes së parë të Euro 2016 që fillon të premten.
DJ me famë botërore, David Gueta, do të jetë në epiqendër të ceremonisë hapëse të Euro 2016, duke prezantuar këngën zyrtare në fushë, para se në tapetin e gjelbër të zbresin përfaqësueset e Francës dhe të Rumanisë me përballjen mes të cilave fillon turneu.
Atij do t’i bashkohet në skenë këngëtarja suedeze Zara Larson, e cila do të këndojë në këtë ceremoni ku do të përfshihen më shumë se 600 persona. Edhe spektatorët e pranishëm në tribuna do të përfshihen në shfaqje, duke u dërguar një mesazh mirëseardhje të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse.
Duke marrë frymëzim nga simbolet e kulturës franceze, shfaqja do të përfshijë mes të tjerëve edhe 150 kërcimtare të kan-kan si dhe një demonstrim akrobatik të Forcave Ajrore Franceze që do të fluturojnë mbi stadium para Himneve Kombëtare. Këta të fundit do të luhen nga orkestra e Gardës Republikane Franceze dhe Shkolla e Korit të Radio Francës. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=QKqP36nymV4