Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka vendosur për një rregull të re në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës gjatë sezonit të ardhshëm.
Sipas vendimit të ri ekipeve iu lejohet edhe zëvendësimi i katërt në ndeshjet e këtyre garave elitare evropiane, njoftoi të enjten organizata evropiane e futbollit.
Në fillim të këtij viti, FIFA miratoi zëvendësimin e katërt në Kupën e Botës dhe ky rregull u dëshmua shumë i suksesshëm në botërorin e Rusisë.
Sipas rregullave të UEFA-s, ekipet që konkurrojnë në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës mund të kenë tre ndryshime në pjesën e rregullt të ndeshjes, por nëse ka ndonjë zgjatje, ata mund të bëjnë edhe zëvendësimin e katërt brenda 30 minutave.
Ekipet që do të bëjnë vetëm dy ndryshime në 90 minutat e para të lojës do të kenë të drejtë sërish të bëjnë në total katër ndryshime deri në fund të ndeshjes.
UEFA ka njoftuar gjithashtu se klubet që konkurrojnë në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës mund të kenë në bankën rezervë deri në shtatë zëvendësime, në përjashtim të finales ku mund të kenë deri në 12 zëvendësime. /Telegrafi/