UEFA ia ka shitur Paramount Global të drejtat televizive për Ligën e Kampionëve të futbollit për tregun e Amerikës së Veriut për 1.5 miliardë euro.
Këtë e deklarojnë shumë media britanike dhe amerikane dhe e konfirmon dhe CBS, e cila është në pronësi të Paramount Global. Marrëveshja u nënshkrua për gjashtë sezonet e ardhshme të këtij kompeticioni elitar të futbollit.
UEFA dhe Paramount Global kishin një kontratë të nënshkruar më herët që skadonte në vitin 2024, dhe çmimi në kontratën e atëhershme ishte rreth 100 milionë euro në vit.
Sipas kontratës së re, çmimi për sezon është mbi dyfishin dhe përfaqëson një nga kontratat më fitimprurëse në historinë e sportit dhe televizionit.
Asnjëherë një kontratë kaq e gjatë
Gjithashtu, një gjë e rrallë ka ndodhur për sa i përket kohëzgjatjes së kontratës, pasi kjo është marrëveshja e parë gjashtëvjeçare e nënshkruar nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).
Praktika e asaj organizate ishte nënshkrimi i kontratave për tre vjet.
Kjo marrëveshje, përveç ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, përfshin edhe të drejtat për ndeshjet e Ligës së Evropës dhe të Konferencës.
Mos të harrojmë se finalja e Ligës së Kampionëve të vitit të kaluar mes Real Madridit dhe Liverpool u ndoq nga 2.8 milionë shikues nga audienca amerikane. /Telegrafi/