Site icon Telegrafi

Kosova organizatore e rrethit paraeliminator të Ligës së Kampionëve

Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë një lajm shumë të mirë nga UEFA.

Në fakt, organi qeverisës i futbollit evropian ka vendosur që t’ia besojë FFK-së organizimin e rrethit paraeliminator për Ligën e Kampionëve. Kjo do të jetë hera e parë që një ngjarje e tillë do të organizohet në vendin tonë.

FFK kishte aplikuar me kohë për marrjen e organizimit të ndeshjeve të rrethit paraeliminator dhe në saje të partneritet shumë të mirë ndërmjet dy institucioneve, sot, ka ardhur lajmi pozitiv nga selia e UEFA-s.

Kësisoj, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë, por edhe ai “Adem Jashari” në Mitrovicë, do të jenë arena ku klubet tona do të mund t’i mirëpresin skuadrat kampione nga San Marino, Andora dhe Gjibraltari.

“Kërkesa për organizimin e këtij rrethi nga FFK-ja është bërë me qëllim që t’i lehtësohet puna klubeve tona që do të na përfaqësojë në këtë garë: të ketë më pak shpenzime; ta ketë mundësinë për ta shijuar përparësinë e terrenit vendas dhe ta gëzojë përkrahjen e madhe të tifozëve në një garë kaq të rëndësishme, por njëherësh si qëllim ka edhe faktin që klubi ynë të arrijë rezultate sa më të mira dhe në këtë mënyrë liga jonë të vlerësohet më lartë dhe në të ardhmen të kemi më shumë ekipe pjesëmarrëse në garat evropiane”, shkruan ndër të tjerash në njoftimin e FFK-së.

Rikujtojmë se vitin e kaluar ky rreth paraeliminator u zhvillua në shtetin e Gjibraltarit, ku kampioni ynë Drita arriti ta mbyllë me sukses, duke kaluar në rrethin e parë kualifikues, ku më pas u eliminua nga skuadra e njohur suedeze, Malmo.

Ndryshe, ndeshjet e rrethit paraeliminator do të zhvillohen prej 20 deri më 27 qershor. /Telegrafi/

Exit mobile version