Skënderbeu dënohet për një vit nga garat evropiane. Është ky verdikti i ndërmarrë nga Komisioni i Etikës dhe i Disiplinës në UEFA, në lidhje me hetimin e hapur pas dyshimeve për kurdisje të ndeshjeve.
Supersport morri i pari lajmin nëpërmjet rrugëve konfidenciale, si dhe konfirmimin se verdikti ka mbërritur në rrugë institucionale në klubin korçar, ndërkohë që duhet pritur zbardhja e plotë e vendimit të UEFA-së, për të mësuar fakte më konkrete në lidhje me ndeshjet që UEFA ka gjykuar se kanë qenë objekt i manipulimit të rezultatit.
Konfirmohet në këtë mënyrë dënimi i Skënderbeut që nuk do të marrë pjesë në sezonin e ardhshëm në paraeleminatoret e Ligës së Kampionëve duke i hapur rrugën kështu përfaqësimit të Partizanit në këtë garë, megjithëse për të zyrtarizuar gjithçka në lidhje me ndryshimin e përfaqësimit të klubeve shqiptare në Evropë duhen pritur procedurat zyrtare.
Në klubin korçar edhe pse frika e një dënimi nga UEFA ekzistonin prej disa ditësh janë gjendur të pezmatuar me këtë dënimin, të cilin Skënderbeu duke këmbëngulur në pafajësinë e tij në lidhje me akuzat për kurdisje, ka vendosur ta apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv Në Lozanë.