Site icon Telegrafi

Udhëheqësi i Hezbollahut në Irak, vritet në një sulm nga një dron amerikan në Bagdad

Një komandant i lartë i Kataib Hezbollah, një grup i armatosur që vepron në Irak që ka marrë përgjegjësinë për shumicën e sulmeve ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri, është vrarë në një sulm me dron amerikan në Bagdad.

Komandanti dhe dy rojet e tij ishin në automjet kur u qëllua mbi të në lindje të kryeqytetit irakian. Të tre u vranë në sulm, raporton BBC.

Pentagoni tha se komandanti i vrarë ishte përgjegjës për drejtimin e sulmeve ndaj forcave amerikane në rajon. SHBA e ka lidhur gjithashtu grupin me një sulm me dron në Jordani që vrau tre ushtarë amerikanë muajin e kaluar.

Sulmi i mbrëmjes së kaluar me dron ka ndodhur në lagjen Mashtal të Bagdadit, duke shkaktuar disa shpërthime të forta.

Sipas mediave, “ka qenë një goditje e saktë në një automjet në lëvizje në një rrugë të frekuentuar që ka çuar në shkatërrimin e plotë të veturës”.

Një zyrtar amerikan konfirmoi më parë për CBS se objektivi ishte komandanti i Kataib Hezbollah, i ngarkuar me operacionet në Siri për grupin.

Ky sulm vjen disa ditë pasi SHBA kreu 85 sulme në Siri dhe Irak si hakmarrje për një sulm fatal me dron ndaj trupave amerikane më 28 janar.

Sulmi në kryeqytetin irakian do të shihet si një përshkallëzim i madh në përgjigjen e SHBA. Sulmet e mëparshme goditën vetëm zonën përgjatë kufirit Irak-Siri. /Telegrafi/

Exit mobile version