Telegrafi

U17: Kosova pëson humbje nga Sllovenia

Kosova U17 në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje 1:3 përballë Sllovenisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset për Euro, raundi i dytë, liga A.

Vashat U17 të Kosovës e nisën shumë mirë takimin, duke arritur të kalonin të parat në epërsi.

Ishte Rreze Gashi ajo që në minutën e 38’ të takimit arriti të dërgonte topin në rrjetë, për rezultatin 1:0.

Dardanet e mbyllën pjesën e parë në epërsi, por në pjesën e dytë të takimit lëshuan fitoren nga dora.

Fillimisht, në minutën e 50’, Katjusa Kern realizoi për 1:1, kurse goditjen e dytë sllovenet e dhanë përmes Masa Osojnik, në minutën e 75’.

Rezultati final i takimit u vulos me golin e Zara Kramzar. Ky gol u shënua në minutën e 85′ të ndeshjes.

Kosova U17 mbetet kështu me 0 pikë, dhe një gol-diferencë prej 1:13, kurse Sllovenia merr tri pikët e para në grup.

Në të njëjtin grup luajnë edhe Gjermania dhe Austria. /Telegrafi/